Armiqësia ndaj të huajve në Gjermani është në rritje, sidomos në lindje të vendit. Në këtë rezultat ka arritur një studim i autoritarizmit bërë në Lajpcig. Autorët paralajmërojnë se demokracia është në rrezik.

Më shumë se një e treta e gjermanëve mendojnë se të huajt vijnë në Gjermani vetëm për të shfrytëzuar shtetin social. Ky është përfundimi i arritur nga një studim. Në Gjermaninë lindore gati gjysma besojnë të njëjtën gjë. Shumë vetë po ashtu janë të bindur se Republika Federale “ka ndryshuar shumë për keq”, gjithsej 35,6 përqind dhe kjo shifër është 44,6 përqind në lindje.

“Në Gjermaninë lindore ne kemi aktualisht 30 përqind të njerëzve, që i bashkohen me vendosmëri qëndrimeve kundër të huajve,” thotë drejtuesi i studimit Oliver Decker, nga Qendra e kompetencës për studimin e ekstremizmit në Lajpcig. Kjo është një shifër e madhe. Në Perëndim kjo shifër është 22 përqind. Që nga vitit 2002, Oliver Decker nxjerr të dhëna prezantuese të sondazheve për qëndrimet autoritare dhe ekstremiste të djathta në Gjermani.

Më shumë urrejtje ndaj myslimanëve dhe romëve

Studiuesit kanë parë se nuk ekziston vetëm një qëndrim paragjykues ndaj të gjithë migrantëve, por sidomos kundër myslimanëve dhe romëve. Sidomos kundër këtyre të fundit ka agresione të mëdha. Gati 60 përqind e të pyeturve ishin dakord me tezën, se romët kanë tendenca kriminale. Edhe paragjykimet kundër myslimanëve janë shtuar. Më shumë se 44 përqind mendojnë se myslimanëve u duhet ndaluar migrimi në Gjermani. Dhe një në dy vetë thotë se e ndien veten të huaj në Gjermani për shkak të myslimanëve.

Rezerva edhe kundër hebrejve

Pas disa incidenteve antisemitiste në Berlin shihet se armiqësia ndaj hebrejve është kthyer sërish në titujt e lajmeve. Sipas studimit, një në dhjetë gjermanë mendon, se ndikimi i hebrejve sot “është i madh”, dhe gati po aq shumë mendojnë se hebrejtë kanë diçka të veçantë dhe të çuditshme, prandaj “nuk përshtaten sa duhet me ne”. Autorët e studimit mendojnë se gjermanët kanë qëndrime edhe më të mëdha antisemitiste, por nuk e pranojnë sepse qëndrime të tilla janë të lidhura me izolimin social.

Sipas vlerësimeve të Oliver Decker urrejtja kundër të huajve, myslimanëve dhe romëve nuk ka direkt të bëj me grupin. Zhvillimi i mirë ekonomik në Gjermani vitet e fundit ka pasur të bëjë me heqjen dorë nga disa gjëra. Për shembull sistemet e sigurisë sociale janë reduktuar. Prandaj shumë vetë të indinjuar kanë ngecur në agresione autoritare. Këto kanë nevojë për një ventil, që njerëzit e kanë gjetur tek urrejtja ndaj të huajve.

Ky është një zhvillim që rrezikon demokracinë në Gjermani, paralajmëron Decker. Sepse, megjithëse 90 përqind e të pyeturve mendojnë mirë për demokracinë, nën demokraci ata kuptojnë diçka tjetër nga një shoqëri ku të gjithë njerëzit të kenë të njëjtat të drejta dhe liri. “Një pjesë e madhe e shoqërisë pranon pikëpamjet, që demokracia mund të jetë edhe diçka si diktaturë e shumicës.”

Ata mendojnë se të drejtat që mbrojnë një person ose grup të veçantë nuk kanë pse ekzistojnë, nëse për të gjithë është e rëndësishme që ato të hiqen. Nëse ekziston shumica parlamentare për këtë, atëherë edhe rruga për demokracinë, pra me zgjedhjen e deputetëve, mund të rrezikojë demokracinë, paralajmëron studimi. Ekstremistët e djathtë gjejnë tek AfD mënyrën e shprehjes politike

Sipas studimit gati tetë përqind e të pyeturve mendojnë, se një diktaturë në kushte të caktuara do të ishte formë më e mirë shtetërore. Më shumë se 11 përqind duan të kenë një udhëheqës, që “të qeveris me dorë të fortë” vendin. Qëndrimet antidemokratike dhe kundër të huajve janë tek AfD më të shpeshta. “Zgjedhësit me pikëpamje ekstremiste të djathta kanë gjetur tek AfD një mënyrë të shprehjes politike”. Pavarësisht nga kjo armiqësia ndaj të huajve është e lartë edhe tek zgjedhësit e partive të tjera, CDU, CSU, SPD dhe FDP, me gati 20 përqind.

“Ne mund të themi se 30 përqind e popullsisë ka qëndrim demokratik të lirë,” thotë Decker. Kjo nuk duket shifër e lartë, por këta njerëz janë të gatshëm të luftojnë për demokraci dhe të pranojnë qëndrime të tjera. Përveç kësaj një pjesë e madhe e gjermanëve janë ambivalentë për demokracinë, por kjo nuk do të thotë se janë automatikisht autoritar. Prapë se prapë 40 përqind e njerëzve preferojnë struktura autoritare të shoqërisë. “Prandaj aktualisht kemi polarizim të madh të shoqërisë,” thotë Decker./DW/