Sëmundja e Parkinsonit karakterizohet edhe nga prekje e funksioneve mendore, gjë që bëhet më e dukshme me kalimin e kohës. Njëkohësisht pacientët bëhen më të ndjeshëm dhe fillojnë të shfaqin edhe fenomenin psikotik, siç janë halucinacionet, veçanërisht ato vizuale.

Sëmundja e Parkinsonit është sëmundje neurodegjenative progresive, me fjalë të tjera një sëmundje që vjen nga dëmtimi i ngadaltë i qelizave në qendra të caktuara të trurit (lënda e zezë në mesencephalon).

Dr. Erion Dushi, mjek Neurolog shpjegon për “Mapo” se cilat janë shenjat e para të kësaj sëmundjeje dhe si në disa raste ajo mund të shfaqet edhe te moshat e reja. Doktori neurolog tregon se cilat janë trajtimet e fundit në këtë fushë dhe pse konsulta me mjekun neurolog ndihmon në mbajtjen në kontroll të sëmundjes.

Cilat janë shenjat e para? Si mund ta kuptojmë, duke qenë se shfaqet edhe te moshat e reja?

Shfaqja e sëmundjes është zakonisht shumë graduale dhe shpesh me shenja jospecifike veçanërisht në fazë të hershme. Shenja të hershme mund të jenë çrregullime të gjumit, rënie të nuhatjes dhe luhatje të presionit arterial që mund ta bëjnë një pacient të ndjeshëm nga qëndrimet e zgjatura në këmbë.

Shenja të tjera mund të jenë çrregullime të zakoneve të tualetit, veçanërisht konstipacioni, apatia, përgjumja gjatë ditës, dhimbje të artikulacioneve dhe të shpinës.

Diagnoza vendoset në mënyre tipike kur sëmundja shfaqet me disa shenja karakteristike që janë: ngurtësimi i muskujve apo rigiditeti, ngathtësia në lëvizje apo bradikinezia, dridhja e anësive dhe kokës, dhe çrregullimi i reflekseve të posturës të cilat na ruajnë nga rrëzimet kur ndryshojmë pozicionin e trupit gjatë aktivitetit ditor.

Këto karakteristika klinike vlerësohen nga mjeku neurolog duke konsideruar edhe të kaluarën mjekësore të pacientit, për të përcaktuar diagnozën.

Shfaqja e parkinsonit herët, pra në moshë të re, a e bën sëmundjen më të vështirë për t’u menaxhuar?

Sëmundja shfaqet zakonisht në dekadën e gjashtë dhe të shtatë të jetës. Shfaqja para moshës 50 vjeç konsiderohet moshë e hershme.

Në këto raste shpeshherë gjenden faktorë familjarë apo gjenetikë, pra një pacient mund të ketë të afërm të tjerë në familje të prekur nga sëmundja.

Ecuria e sëmundjes është e variueshme, por në mënyrë tipike vërehet një ecuri e ngadaltë.

Një nga terapitë kryesore është levodopa, një pararendës i dopaminës, e cila është substancë që mungon në ganglionet bazale. Efekti i saj është shumë i mirë në sëmundjen e Parkinsonit, por ky efekt bie me kalimin e kohës. Për më tepër, sëmundja ndërlikohet dhe me shfaqjen e disa lëvizjeve jo të zakonshme që e bëjnë edhe më të vështirë trajtimin.

Moshat e reja janë veçanërisht të prekur nga këto fenomene, që në gjuhë mjekësore quhen diskinezi.

Sëmundja e Parkinsonit karakterizohet edhe nga prekje e funksioneve mendore, gjë që bëhet më e dukshme me kalimin e kohës. Njëkohësisht pacientët bëhen më të ndjeshëm dhe fillojnë të shfaqin edhe fenomenin psikotik, siç janë halucinacionet, veçanërisht ato vizuale.

Si diagnostikohet Parkinsoni?

Nuk ka ekzaminime specifike që të çojnë në diagnozë. Rezonanca magnetike ndihmon për të vlerësuar parenkimen cerebrale dhe nevojitet për të dalluar patologji të tjera që mund të japin shenja te ngjashme. Një ekzaminim tjetër imazherik është PET SCAN dhe MR spectroscopy, që mundësojnë vlerësim në nivel metabolik të qendrave cerebrale, pra ato tregojnë nëse një qendër e caktuar e trurit po “ushqehet” mirë apo jo. Ekzaminim interesant është dopleri transcranial, që kryhet në spitalin Hygeia dhe mund të tregojë hiperintensitet në lëndën e zezë të mesencefalonit.

Si trajtohet sëmundja?

Në faza të avancuara të sëmundjes, pacientët mund të trajtohen me metoda relativisht të reja, siç është neurokirugjia funksionale apo duodopa, domethënë dhënia e levodopës në mënyrë të vazhdueshme përmes një pompe direkt në zorrën e hollë. Trajtimi i sëmundjes së Parkinsonit mbetet një sfidë dhe shpesh kërkon një punë në ekip.