Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka dhënë shpjegime për dorëzimin e padisë ndaj ish-kryetarit Bilall Kasami. Dje në Prokurorinë Publike të vendit, në emër të 32 themeluesve juridikë (prej 57 gjithsej), është dorëzuar padia për vepër penale ndaj ish kryetarit për abuzim me detyrën zyrtare si “përfaqësues juridik i Lëvizjes BESA para organeve të drejtësisë” dhe falsifikim të dokumentacionit të Lëvizjes.

Ndërsa, në Gjykatën Administrative është dorëzuar kërkesa për anulimin e falsifikimit që e ka bërë ai në dokumentet e Lëvizjes BESA në gjykatën përkatëse themelore.

“Pas kësaj, ai dhe grupi i tij, disa prej të cilëve aq shumë e kanë dëshirë të thirren në legalitet, tashmë do të duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë se si i bëhet puna që të kidnapohet partia politike për interesa të ngushta individuale dhe grupore. Këtu po e përsërisim se ky manipulim është bërë në kohën kur të gjithë aktivistët e Besës i besonin atij dhe i shfaqnin lojalitet, gjë që flet se ai vazifen e nëpërkëmbjes së BESËS dhe përçarjen e kishte filluar qëmoti, natyrisht me direktivë”, ka deklaruar Gashi.

Pas kësaj, u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë aktivistëve, që ka mundësi të mos e kenë pasur informacionin e mjaftueshëm dhe janë vënë në anën e gabuar, që ta kenë të qartë se ish kryetari i Lëvizjes BESA së shpejti do të jetë në bankën e të akuzuarit për falsifikim dhe nuk dihet si merr fund e gjithë kjo. “Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithëve që të rreshtohen në anën e së drejtës dhe ta dinë se jo vetëm ideja, por edhe organizata Lëvizja BESA ka qenë dhe mbetet kundër të gjithë atyre që me metoda të manipulimit mundohen ta mbajnë pushtetin. E vërteta vonon, por nuk harron. BESA, përkundër lëndimit dhe tradhtisë që ia kanë shkaktuar, e vazhdon misioni e mbrojtjes së idealit dhe idesë”, ka deklaruar Gashi./SHENJA/