Partitë politike nuk ndërmarrin asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së ngërçit politik. Edhe më tej, partitë që kanë formuar shumicën parlamentare të kryesuara nga LSDM-ja vazhdojnë të pretendojnë se do të kërkojnë zgjidhje në kuadër të Kushtetutës, gjegjësisht do të presin zyrtarisht emërimin e Zoran Zaevit mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Kushtetuta siguron zgjidhje shumë të qarta për dalje nga kriza politike. Gjorge Ivanov duhet t’ia japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, për formimin e Qeverisë së re. Është e pa pranueshme edhe nga ana e Ivanovit, që vetëm për të shpëtuar Gruevskin nga përgjegjësia për veprat e tij kriminale, të shkelë Kushtetutën dhe ta zgjasë krizën politike, në dëm të qytetarëve – thanë nga LSDM-ja.

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mos pranojë faktin e formimit të shumicës së re parlamentare, pas marrëveshjes që përfshin edhe Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare. Duke e konsideruar platformën si tiranase, partia e Gruevskit bën thirrje që ajo të refuzohet dhe vendi të organizojë zgjedhje të reja parlamentare.

 Në zgjedhjet që kaluan, qytetarët votuan për VMRO-DPMNE dhe jo për platformën tiranase. Është e papranueshme që platforma tiranase të bëhet kusht për formimin e Qeverisë në Maqedoni. Ajo qeveri do të ishte Qeveri tiranase. Zgjidhja e vetme dhe përgjigja e të gjitha çështjeve do të mund të merret në zgjedhjet e reja parlamentare, duke hedhur çdo platformë nga shtetet tjera – thanë nga VMRO-DPMNE.

Shefi i delegacionit të BE-së Samuel Zbogar nuk deshi të komentojë zhvillimet e fundit, por ju referua deklaratës së Mogerinit e cila gjatë vizitës së saj në Shkup, i bëri thirrje presidentit Ivanov të respektojë Kushtetutën dhe t’i japë mandatin shumicës së sapoformuar parlamentare për formimin e ekzekutivit të ri.

 Meqë përfaqësuesja e lartë Mogerini ishte këtu të enjten e kaluar, është më e rëndësishme se çfarë ajo tha se sa ajo që do të them unë. Gjatë vizitës së saj, ajo ishte shumë e qartë se cilat duhet të jenë hapat e ardhshëm – deklaroi ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev nuk përjashtoi mundësinë e ndërmarrjes së hapave tjerë konform kushtetutës, për të formuar Qeverinë, nëse Ivanov këmbëngul deri në fund për mos dhënien e mandatit./Alsat-M