Reformat në ligjin për mbrotje sociale, posaçërisht për shfuqizimin e ndihmës për fëmijën e tretë të paralajmëruara nga pushteti, kanë përplasur partnerët e koalicionit qeveritar. Artan Grubi, në emër të deputetëve të BDI-së tha se paralajmërimi për shfuqizimin e saj është shumë i hershëm duke përkujtuar paraprakisht duhet të ishin njoftuar të gjitha palët e koalicionit.

Hera e parë që dëgjova për këtë propozim ishte nëpër mjetet e informimit dje, vlerësoj se nuk është debatuar as në qeveri. Prandaj dhe them që politikat më të mira janë ato që ndërtohen në bazë të konsensuzit dhe pëlqimit midisi të gjitha palëve. Vlerësoj që duhet të hapet debat, por gjithsesi se qëndrimi jonë është se këto masa, në fakt kanë pasur rezultatin e dukshëm në veçanti te qytetarët me të cilët ne komunikojmë çdo ditë. Duhet të vijojnë edhe më tutje- deklaroi Artan Grubi, BDI.

Alenaca për Shqiptarët ka reaguar duke publikuar të dhëna se kjo masë ka ndikuar në rritjen e natalitetit në Maqedoni. Elmi Aziri madje tha se shfrytëzues më të mëdhenj të kësaj ndihme janë familjet shqiptare me 45.6 %.

Shprehur në përqindje, 45.6 % janë familje shqiptare që e pranojnë këtë subvencion, 33.1 % janë familje maqedone, 7.8 % janë familje turke, 9.4 % janë familje rome. Sinqerisht nuk do të kisha dashur dhe nuk do të dua ta besoj se shifrat në këtë tabelë statistikore janë argumenti kryesor se pse Qeveria tenton që ta eliminon këtë formë të ndihmës sociale- pohoi Elmi Aziri, ASH, njofton Alsat-M.

Edhe profesori Izet Zeqiri ka ngritur zërin për reformat në mbrojtjen sociale. Në profilin e tij në fejsbuk ai ka shkruar se kjo masë që propozohet nuk mund të krahasohet me të drejtën që kanë pasur prindërit të cilët 10 vite kanë marrë kompensim për fëmijën e tretë mbi 8 mijë denar. Ai madje shton se masat e deritanishme kanë pasur efektin e vetë në rritjen e natalitetit ku në mesatare janë ruajtur lindjet në 8 vitet e fundit nga viti 2010 deri në 2017, 23 mijë e 342 lindje në vjet. Gjithashtu Zeqiri shkruan se gjykuar në bazë të numrave të të lindurve Qeveria ndoshta i frikohet natalitetit të shqiptarëve sepse shtesat për fëmijën e tretë dukshëm e kanë nxitur natalitetin e shqiptarëve, veçanërisht në regjionet dhe komunat ku jetojnë shqiptarët. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska dhe pjesmarrësitë në krijimin e reformave në mbrojtje sociale edhe një herë përsëritën se kjo e drejtë nuk shfuqizohet por vetëm se transformohet.

Kjo e drejtë transformohet në një pagë të njëhershme për fëmijën e parë, të dytë dhe tretë për shkak se kjo është masë demografike dhe jo sociale. Të gjitha analizat dhe hulumtimet të organizatave ndërkombëtare, organizatave vendase, opinioni i akademikëve treguan se masa “fëmija i tretë” nuk i dha efektet demografike dhe nuk e rriti natalitetin në Maqedoni- tha Milla Carovska, ministre e Punes dhe Politikave Sociale.

Shuma e të drejtës do të mbetet e njejtë duke pasur parasysh se shfrytëzuesit e njejtë tani do të kenë qasje deri te më shumë të drejta. Ato janë të ardhurat e garantuara minimale, shtesa për fëmijët dhe për arsim. Përmbedhja e këtyre të drejtave është e barabartë me të drejtën shtesë për fëmijën e tretë- pohoi Maja Gerovska Mitev, profesoresh.

Shtesa për fëmijën e tretë do të zëvendësohet me ndihmë të njëherëshme e cila do të bartë shumën prej 60 mijë denarësh, për fëmijën e dytë 20 mijë denarë ndërsa për fëmijën e parë vetëm 5 mijë denarë.