Pas protestës së sotme të studentëve në Tetovë, si duket udhëheqësisë së njërit prej Universiteteve, UT-së  iu kujtua se duhet të dëgjohet zëri i studentëve dhe se të drejtat e tyre duhet të mbrohen dhe të avancohen. Ndërkaq nga dy Universitetet e tjera ende vazhdojnë të jenë të shurdhur ndaj zërit të studentëve që më klithmat e tyre trazuan shpirtin e atyre që për më shumë se dhjetë vite kanë keqpërdorur dhe politizuar gjithçka në këto hapësira.

Sidoqoftë edhe  pse nga UT reaguan  dhe ndërkohë zotohen se do të kenë në konsideratë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave studentore të Universitetit të Tetovës, por edhe të mbarë rinisë studentore në Republikën e Maqedonisë, këto deklarata nga këshilli protestës së studentëve vlerësohen se janë deklarata boshe dhe se kjo bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit për ndërprerjen e protestave, Protesta këto që studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre thonë nga këshilli i protestës

Në vazhdim edhe reagimi nga UT dërguar mediave:

Duke pasur në konsideratë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave studentore të Universitetit të Tetovës, por edhe të mbarë rinisë studentore në Republikën e Maqedonisë, si dhe në frymën e informimit të drejtë të opinionit publik, udhëheqësia e Universitetit të Tetovës e ndjek nga afër artikulimin e zërit studentor, i cili është një premisë e shëndoshë për rrjedhat e përgjithshme të proceseve shoqërore.

Universiteti i Tetovës kurrë nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë ta dëgjojë zërin studentor dhe të reflektojë për të mirën e studentëve dhe mbarë shoqërisë. Deri më sot, ne i kemi vënë të gjitha mekanizmat, me të cilat disponojmë në frymën e kësaj filozofie, të trasuar nga rinia shqiptare dhe populli ynë fisnik përgjatë periudhave më të errëta historike për kombin tonë, i cili, si asnjë popull tjetër në historinë botërore, ka ndarë bukën e gojës dhe ka sakrifikuar qenien e vet, që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund të shkollohen në gjuhën e vet amtare dhe me këtë, të vihen themelet e mirëqenies së gjithëmbarshme shoqërore dhe kombëtare.

Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. Universiteti i Tetovës është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak, e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht, qoftë ajo individuale apo kolektive.

Ne si udhëheqësi e Universitetit, duke i marrë për bazë këto parametra, që përkojnë me misionin tonë, por edhe me sakrificën shekullore të popullit shqiptar të trevave tona, i vëmë në dijeni studentët e Universitetit të Tetovës se dyert e këtij projekti madhor kombëtar, janë gjithmonë të hapura për ta dhe se profesorati, organet dhe udhëheqësia e Universitetit janë në shërbimin e tyre permanent.

Infomagazin i publikon komunikatat e subjekteve të ndryshme në mënyrë integrale dhe për të njëjtat nuk mba përgjegjësi.