Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është anuluar për një kohë të pacaktuar, kjo me kërkesë të palës serbe e cila pas vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq ka deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut deri sa të zbardhet ky rast.

Lidhur me këtë “kusht” të Serbisë që mos të ketë vazhdim të dialogut deri në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit, analistët e cilësojnë si pretekst i shtetit fqinj para ndërkombëtarëve për të treguar se gjoja qytetarët serbë në Kosovë janë të rrezikuar. Kështu ka thënë për Telegrafin analisti politik, Belul Beqaj.

” Pala serbe dëshiron të denigroj edhe më shumë politikën e Kosovës. Serbia dëshiron të ngarkoj me përgjegjësi Kosovën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit duke drejtuar gishtin kah Kosova për një vrasje që nuk është ndriçuar ende. Ajo ka plane tjera rreth dialogut por dëshiron të përdor vrasjen si një pretekst para opinionit ndërkombëtarë për të treguar sa janë ,gjoja se, të rrezikuar serbet në shtetin e Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Ai ka theksuar se vrasja e Ivanoviqit do të shërbej si pretekst edhe pse dihet publikisht se Oliver Ivanoviq dhe Iniciativa e tij qytetare SDP ka qenë e rrezikuar edhe publikisht nga pushteti serb, por ai është vrarë në Kosovë.