Autor: Paskal Milo

Përkatësia dhe fryma europiane e politikës së Skënderbeut e të Arbërisë në shekullin e XV është e dëshmuar në analet historike të kancelarive europiane të kohës, por edhe në shumicën e traditës historiografike, letrare e artistike të shekujve të mëvonshëm në Europë. Atë e skalitën në kujtesën europiane edhe Marin Barleti, Gjin Muzaka e Dhimitër Franku, veprat e të cilëve u bënë burim i pazëvendësueshëm, referencë për shumë autorë europianë. “Përmes rrëfenjës mitike të bëmave të tij”, biografët e Skënderbeut të kësaj kohe, shkruan Giboni, dhanë nën ndikimin e historisë italiane tregime fantastike rreth tij”.

Por në Shqipërinë e sunduar nga osmanët, në shekujt XVI – XVIII, Skënderbeu e bëmat e tij mbetën vetëm një jehonë e largët dhe e zbehtë e “motit të madh”. Shqipëria rrezikohej të osmanizohej plotësisht. Vetëm influenca progresiste e iluminizmit francez dhe e nacionalizmit si lëvizje për krijimin e shteteve kombëtare jo vetëm në Europë, por edhe në Ballkan, u dha shansin shqiptarëve që të nxitonin e të mos vonoheshin më shumë për të kapur momentin e për t’u ribashkuar me Europën, së cilës i përkitnin historikisht.

“Rikthimi” i Shqipërisë në Europë, një mit i zhvilluar nga Rilindja Kombëtare, jo pa qëllim u përqendrua te figura e Skënderbeut dhe lufta e arbërorëve nën udhëheqjen e tij kundër pushtimit osman. Evokimi i kësaj epopeje historike synonte dy objektiva kryesore: zgjimin kombëtar të shqiptarëve, ndërgjegjësimin dhe ngjizjen e identitetit kombëtar për të krijuar shtetin e tyre të pavarur; E dyta, përmes Skënderbeut dhe epokës së lavdishme të tij, të “rizbulonin” rrënjët europiane të identitetit shqiptar, të hiqnin ato mbishtresa osmane që ishin vendosur mbi të, me qëllim që shqiptarët të pranoheshin nga Fuqitë e Mëdha europiane si bartës të qytetërimit europian dhe jo osman.

Jo pa arsye dhe për përgjegjësi historike të vetë shqiptarëve, në botën politike të krishterë europiane ishin krijuar dyshime e perceptime të gabuara për ta. Kjo, për faktin se shqiptarët,ndryshe nga të gjithë popujt që ranë nën sundimin osman, në masën 70 për qind të tyre u konvertuan në fenë islame dhe humbën një tipar të qenësishëm, në mos kryesorin për qytetërimin europian, siç ishte krishterimi. Për më tepër, ata u integruan aq thellë në Perandorinë Osmane sa që në shumë raste nuk bëhej dallim midis një shqiptari mysliman e me ndërgjegje të osmanizuar e një turku etnik.

Aq e vërtetë është kjo, sa që vezirët e shumtë me origjinë shqiptare, deputetët, gjeneralët, guvernatorët e ministrat shqiptarë ishin një dukuri normale e mjedisit perandorak osman. Një zhbërje kaq e madhe identitare në shekuj i kishte zhytur shqiptarët në harresë historike dhe i rrezikonte seriozisht për t’u asimiluar e dalë jashtë historisë.

Rrjedhojat e kobshme të sundimit të gjatë osman e të një mercenarizmi besnik të elitave shqiptare të osmanizuara, janë dëshmuar përgjatë viteve në prag të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar e pas tij, madje deri në kohën e sotme. Rilindësit shqiptarë, në strategjinë e tyre të bërjes së kombit, duke i njohur dobësitë identitare shqiptare, nuk u përqendruan te forca e krishterimit si një nga boshtet identitare europiane për të ndërtuar identitetin modern kombëtar shqiptar. Realiteti mes shqiptarëve ishte tjetër, nuk kishte besim unik fetar dhe ai nuk mund të zhbëhej.

Ndaj, edhe ata, në përputhje me rrethanat specifike shqiptare, e zëvendësuan fenë unike si shtyllë e nacionalizmit me metaforën afetare nacionaliste, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Zgjimi i vonuar kombëtar shqiptar nuk u përcaktua vetëm nga statusi i privilegjuar historik i elitave shqiptare të osmanizuara dhe nga ekzistenca e shumicës myslimane shqiptare. Kanë ndikuar edhe rrethanat historike, në të cilat u zhvillua nacionalizmi shqiptar si sistemi i prapambetur osman, por edhe mungesa e mbështetjes së tij nga të paktën një fuqi e madhe kujdestare europiane.

Me të drejtë është konstatuar se nacionalizmit shqiptar, “iu desh të zhvillohej pa një mbështetje të jashtme, kundrejt dhe kundër të gjithëve dhe me një karakter mbrojtës”. Atij iu desh të lindë e të veprojë në rrethanat kur sistemi ndërkombëtar, “koncerti europian”, refuzonte të njihte një komb si mjaftueshmërisht të dallueshëm nga një tjetër ose mjaftueshmërisht të qëndrueshëm për të ruajtur një ekzistencë të veçantë. Fuqitë e Mëdha europiane të kohës e dëshmuan këtë qëndrim më së miri në Kongresin e Berlinit, në qershor 1878, kur e injoruan çështjen shqiptare.

Ato jo vetëm refuzuan çdo mbështetje për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, por edhe refuzuan kërkesën e Lidhjes së Prizrenit për organizimin e të gjithë shqiptarëve nën Perandorinë Osmane në një vilajet të vetëm, që Jusuf Buxhovi e quan Shqipëria Osmane. Në këtë mënyrë, duke refuzuar shqiptarët dhe duke ushqyer pretendimet territoriale të monarkive fqinje ndaj territoreve të banuara me shumicë kompakte shqiptare, u godit rëndë një nga elementet kryesore të formimit të kombit shqiptar, siç ishte uniteti i tij territorial.

Për Kryeministrin britanik e ministrin e tij të Jashtëm, Shqipëria nuk ishte në kohën e Krizës Lindore, e panjohur, ashtu sikurse edhe për të gjitha Fuqitë e tjera të Mëdha. Ndonëse historianë plot autoritet, si Giboni, e kishin “vendosur Shqipërinë në hartën historike perëndimore” dhe i kishin dhënë “asaj kredite në Ballkan”, përsëri ishte shumë pak sepse përbri Italisë, ajo “ishte më pak e njohur se brendësia e Amerikës”. Rilindësit shqiptarë, në misionin e tyre historik për të nxitur e zhvilluar ndërgjegjen kombëtare si kusht paraprak për krijimin e shtetit kombëtar, iu drejtuan lëvrimit të gjuhës shqipe, krijimit të një alfabeti unik e shkrimit së saj.

Studiuesit që janë marrë me nacionalizmin ballkanik e veçanërisht atë shqiptar, kanë nënvizuar rolin specifik të gjuhës së folur të përbashkët shqiptare si një nga faktorët e fuqishëm të identitetit kombëtar shqiptar. Por, ata në mënyrë të veçantë iu drejtuan historisë, racës shqiptare dhe origjinës së saj, heronjve mitologjikë apo realë si dhe identitetit europian të shqiptarëve para sundimit osman. Rilindësit me të drejtë e mitizuan historinë iliro-arbërore dhe ky nuk ishte fenomen vetëm shqiptar.

Një nga studiuesit më me emër jo vetëm francez, por edhe europian i çështjeve kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Ernest Renan, konkludonte se, “një ndër faktorët thelbësorë të formimit të kombit është edhe shtrembërimi i historisë së tij”. Historiani i njohur Erik Hobsbaum ka shkruar se, “nacionalizmi kërkon të besosh fort në diçka, që duket sheshit që nuk është”. Dhe për ta mbyllur me referencën e Branko Merxhanit se, “në mes të fantasivet që forcojnë nacionalizmën, vëndin e parë e zë gjithnjë fantasia historike”.

Si figurë epike e historisë kombëtare, si luftëtar e shtetar i madh arbëror, si shpëtimtar çerekshekullor i Europës dhe të qytetërimit europian, rilindësit e vendosën Skënderbeun dhe epokën e tij në qendër të veprimtarisë së tyre: patriotike, politike, letrare e artistike. I gjithë synimi i tyre ishte që, përmes njohjes së madhështisë së Skënderbeut e të luftës së tij antiosmane, të nxitej krenaria kombëtare e të ngjizej e të forcohej identiteti kombëtar. Gjithashtu, të popullarizohej kontributi i tij në mbrojtje të qytetërimit europian, të nënvizoheshin lidhjet e natyrshme arbërore me këtë qytetërim si shkak-pasojë i rrënjëve të përbashkëta e të hershme historike.

Dhe e gjitha kjo, për të përgatitur terrenin e nevojshëm për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane e për të themeluar shtetin e pavarur shqiptar e me përmbajtje e orientim europian. Kjo lëvizje kombëtare, që u njoh me emrin Rilindje, u nxit përpos nevojave të brendshme objektive për ndryshim e zhvillim edhe nga penetrimi i vonuar e sipërfaqësor në grupe të vogla elitare të shqiptarëve, kryesisht jashtë Shqipërisë të ideve të iluminizmit europian e të Revolucionit Francez të fundit të shekullit XVIII. Filloi të lëvizë diçka që sigurisht ishte ende larg atij procesi të “evropianizimit”, të “oksidentalizimit” apo të “modernizimit” të Ballkanit, që u shfaq në vendet e tjera të rajonit, i cili “po bëhej europian duke flakur tej mbeturinën e fundit të trashëgimisë perandorake osmane..”.

Rilindja Kombëtare Shqiptare ka filluar si një lëvizje kryesisht kulturore dhe jashtë Shqipërisë, te arbëreshët e Italisë, në kolonitë shqiptare në Rumani, Egjipt e në mjediset atdhetare shqiptare në Stamboll, në qendër të Perandorisë. Ishte koha e krijimit të shteteve-kombe, e lëvizjeve të fuqishme revolucionare nacionale, që po i jepnin formën përfundimtare kontureve gjeografike të shteteve europiane. Vetëm kombet me identitet të qartë kombëtar kishin shansin të zinin vend në hartën politike, që po formohej me shpejtësi në Europë.

Tradita dhe gjuha e përbashkët, uniteti i njësisë territoriale të kombit dhe krishterimi ishin vlerat dhe kriteret për të përcaktuar përkatësinë në qytetërimin europian. Rilindësit ishin të ndërgjegjshëm se këto vlera te shqiptarët ose ishin të mbuluara nga pluhuri i harresës historike, ose ishin tjetërsuar apo edhe mungonin. Ndaj, edhe ata e filluan punën për zgjimin kombëtar nga ringjallja e traditës historike që i bashkonte me Europën. Në qendër të vëmendjes u vendos ringjallja e epikës historike të Skënderbeut, në dimensionin e saj europian e të krishterë.

Mes arbëreshëve të Italisë, historiani Pietro Pompilio Rodota, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, në vëllimin e tij të tretë të veprës “Historia e ritit grek në Itali”, ka trajtuar figurën e Skënderbeut dhe betejat e tij kundër osmanëve. Ai ka bërë “një paraqitje të idealizuar, aq të zmadhuar, sa fqinjëron me legjendën, një paraqitje që përbën zanafillën e atij procesi mitizimi, i cili pati mjaft sukses, para së gjithash letrar, gjatë shekullit të XIX”. Rilindësi i parë që e vazhdoi më tej këtë mision, ishte poeti dhe publicisti arbëresh, Jeronim De Rada.

Ai evokoi historinë e Skënderbeut në vargje e që së bashku me arbëreshë të tjerë ritreguan në shkrime lashtësinë e popullit shqiptar. Skënderbeu shumë shpejt u bë “pasuri e përbashkët për çdo europian të kultivuar”.Rilindësit e rimorën mitin e tij në një formë të re, jo vetëm fetare, por si një figurë të “mirëfilltë simbolike të një identiteti të ri etnokombëtar e të mëtimit për një shtet më vete”.

Ata e bënë këtë për t’u vënë në dukje “elitave europiane vijimësinë kulturore e sidomos orientimin politik për kah Perëndimit të shqiptarëve me shumicë myslimane: Skënderbeu mishëronte edhe pretendimin për të rilidhur përkatësinë në Europë, e cila ishte ndërprerë nga sundimi osman e në këtë mënyrë të bënte legjitimimin historik të dëshirës politike për autonomi ose pavarësi”.

Ashtu si De Rada, është Jani Vreto, që në 1847 shkruan poezi për Skënderbeun, ndërkohë që Dora D’Istria (Elena Gjika), princeshë rumune me origjinë shqiptare, me shkrimet e saj do t’i prezantonte shqiptarët si një racë e pastër europiane që meritonte të kishte shtetin e saj të pavarur “me rastin e një risistemimi të ardhshëm politik të Europës Juglindore”. Pashko Vasa, në studimin e tij kritik historik, “E vërteta për Shqipërinë e shqiptarët”, do ta cilë- sonte Skënderbeun si kokën e bashkimit shqiptar dhe “kur askush dhe asgjë nuk mund t’i bënte dot rezistencë armëve turke … ishte i vetmi me shqiptarët e tij, që u tregoi ballin atyre…”.

Do të ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, që epokën e Skënderbeut do ta vlerësonte se “është m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vëndin tënë”.Vëllai i tij, Naim Frashëri, “mësues i kryehershëm i kombit”, siç e quan Rexhep Qosja, i kushtoi një poemë të veçantë Skënderbeut, që u bë shumë popullore për patosin e frymën kombëtare që përçonte. Evokimi i traditës historike dhe i lashtësisë së popullit shqiptar në truallin e tij europian, paçka se në mjaft raste arrinte në kufijtë e fantazisë historike, mbolli farën e zgjimit e të krenarisë kombëtare për identitetin europian të shqiptarëve.

Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Shqiptarët nuk mund të rronin, por as edhe mund të ndërtonin të ardhmen e tyre mbi bazën e së shkuarës, sado e lavdishme që të kishte qenë ajo. Ata duhej t’i dëshmonin Europës së “koncertit të Vjenës” se ishin europianë edhe nga kultura e gjuha, se një komb i zhvilluar që meritonte të jetonte më vete, duhej të kishte gjuhën e tij të shkruar, shkolla dhe institucione që lëvronin gjuhën amtare. E në këtë drejtim, shqiptarët linin shumë për të dëshiruar. Lëvrimi dhe shkrimi i gjuhës shqipe u bë detyrë parësore e rilindësve shqiptarë.

Studiues të ndryshëm europianë kishin provuar origjinën indoevropiane të gjuhës shqipe. Rilindësve, sikurse e ka përcaktuar lëvruesi i madh i gjuhës tonë, Eqrem Çabej, u ra përsipër një mision i shumëfishtë, “të dalin përpara si poetë dhe si patriotë, të shpallnin idenë e lirisë nacionale dhe të bëhen me shkrimet e tyre, edukatorët e kombit”… Përdorimi i alfabetit të Shoqërisë së Stambollit në librat shkollorë të shkruara nga rilindësit, gradualisht fitoi epërsi ndaj tendencave në minorancë për përdorimin e alfabetit arab apo grek.

Hapja e së parës shkollë shqipe në Korçë, më 7 mars 1887, shënoi një ritëm tjetër e të pandalshëm në orientimin e arsimit e të gjuhës shqipe drejt traditës europiane. Në Shkodër, në fund të shekullit XIX, u përdorën dy alfabete të tjera për shkrimin e gjuhës shqipe me germa latine, ku iniciues e lëvrues ishin edhe Gjergj Fishta e Ndre Mjeda. Lëvizja kombëtare në fillimet e shekullit të XX vlerësoi përmes përfaqësuesve të saj më në zë, se kishte ardhur koha për njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe…

Lëvrimi i gjuhës shqipe dhe alfabeti latin i saj ishte një nga komponentët e identitetit kombëtar shqiptar, që po dilte nga errësira e harresës historike. Nacionalizmit shqiptar i nevojitej një platformë politike e qartë e vizionare, që mund të shërbente si udhëheqje e aksionit për krijimin e shtetit kombëtar. Ky program i mungoi Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte shenjë e dobësisë së saj, i dualizmit dhe i dilemës, i ndrojtjes që kishte vetë elita e saj.

Rilindësit ishin njerëz të kulturuar e me njohje të thella të qytetërimit europian si dhe të historisë paraosmane të atdheut të tyre. Por, brenda tyre kishte gjithashtu një kulturë osmane, për të mos e quajtur një ndërgjegje osmane, që i frenonte që ta shihnin përfundimisht të ardhmen e Shqipërisë jashtë Perandorisë Osmane. Argumenti kryesor i tyre ishte se, në rrethanat që u krijuan gjatë dhe pas Krizës Lindore 1875 – 1878, në plan të parë doli çështja e ruajtjes së territoreve shqiptare të katër vilajeteve nga kërcënimet e vendeve fqinje, për aneksimin e tyre sesa shkëputja nga Perandoria Osmane.

Kishte gjithashtu, edhe interesa direkte personale të elitës rilindëse të lidhura me pozitat dhe ofiqet në administratën e lartë e në jetën publike osmane. Një pengesë objektive në ambiguitetin e qëndrimeve të kësaj elite ishin dhe prapambetja e thellë e shoqërisë shqiptare, niveli i ulët kulturor i shqiptarëve, por edhe i një klase konservatore feudale shqiptare e islamizuar dhe osmanizuar, që nuk e konceptonte veten dhe vendin jashtë autoritetit të Gjysmëhënës.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që një personalitet i Rilindjes Kombëtare, si Faik Konica, shfaqte në revistën e tij “Albania”, në fund të shekullit XIX, ide kundërthënëse. Konica nuk ka dyshim që ishte proeuropian, aq sa në emër të kësaj bindjeje botonte edhe të pavërteta të tilla se, Franca, Anglia dhe Austria janë tre vendet e Europës “ku na duan më shumë të mirën” dhe “kjo është një e vërtetë që tërë shqiptarët e dinë”.Tre muaj më vonë pasi ka shfaqur këto mendime, Konica shkruan çudinë e radhës si shpeshherë në jetën e tij.

U kërkon patriotëve shqiptarë që të bëjnë “përpjekje të sinqerta për të konsoliduar bashkimin e Shqipërisë me Turqinë”, se “simbol i këtij bashkimi është Sulltani… dhe ne do të protestojmë gjithnjë kundër shqiptarëve që do ta sulmojnë sepse të sulmosh Sulltanin në lidhje me Shqipërinë, do të thotë të sulmosh Shqipërinë”. Në këto rrethana, duke shtuar edhe njëherë tjetër edhe mungesën e mbështetjes të një Fuqie të Madhe europiane për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vitit 1878 del e gjetur dhe e justifikuar si programi i parë i organizuar politik i nacionalizmit shqiptar.

Mbi 20 vjet më vonë, në 1899, Sami Frashëri, në traktatin e tij politik shumë të njohur “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, në vijim edhe të Kuvendit të Lidhjes Kombëtare të Pejës, përpunoi edhe më qartë platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të ardhmen e Shqipërisë si shtet i pavarur. Por, edhe ai, për momentin mbeti përsëri në kërkesën taktike të bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi të vetme autonome nën Perandorinë Osmane.

Veç e la të hapur projektin e një shteti të pavarur kombëtar sepse ishte i bindur se “shqipëtarëve me hir Turqia s’u ka për të dhënë gjë. Shqipëtarët duhet t’i marrin ato që duan me pahir; t’i kërkojnë me fjalë, por të ken edhe pushkënë plot”. Rilindësit patën kufizimet e tyre programore të diktuara edhe nga përulja e shtyllës vertebrore të shumicës së shqiptarëve para islamit e osmanizmit, fenomen për të cilin Fallmerayer, në mënyrë figurative, shkruante se, “që prej 400 vjetësh ata gjenden të humbur nën barrën e maleve, si trupat e gjigandëve”.

Por një pjesë e mirë e tyre ishin tepër të qartë për përkatësinë dhe orientimin që duhej të kishin shqiptarët në agimin e shekullit XX. Udhëheqësi politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, në fund të viteve ‘80-të të shekullit XIX shprehte bindjen se Shqipëria “do të tregohet më e denja për përkrahjen e Europës” dhe se “çështja e Lindjes nuk do të mund të zgjidhet kurrë në qoftë se Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë…” Vokacionin europian të rilindësve e shprehu në mënyrën më të mundshme për kohën edhe Sami Frashëri.

Duke evokuar historinë si kombi më i vjetër në Europë, ai nënvizonte të drejtën e shqiptarëve më tepër se të çdo kombi tjetër në tokën e Europës. Samiu bënte thirrje “të njihetë vëndi ynë për Shqipëri, ta njohë edhe Evropa Shqipëri”. Ideologu kombëtar u drejtohej shqiptarëve që të përpiqeshin, se vetëm kështu “do të jemi një nga më të mirët e më të ndriturit e kombeve të Evropës”.

Përfaqësuesi më elokuent i përkatësisë dhe i orientimit europian të Shqipërisë mes rilindësve, në kapërcyell të shekullit të XX, ka qenë Ismail Qemali. Kultura e tij europiane, pikëpamjet e tij liberale dhe përvoja e kontaktet e tij të vazhdueshme me përfaqësues të lartë të diplomacisë europiane e çuan atë në një konflikt të hapur me Sulltanin, aq sa për t’i shpëtuar dënimit në vitin 1900, u arratis nga Stambolli e për disa vite qëndroi në Europë.

Që andej, ai u kujtonte shqiptarëve se ata “në gjak kanë mbetur gjithnjë evropianë” dhe se e ardhmja e tyre do të ishte e sigurt po të futeshin në rrugën e qytetërimit europian.Shqiptarët, qoftë edhe për përgjegjësinë e tyre, nuk e patën luksin si popujt e tjerë të Ballkanit që të mund të kishin mbështetjen e disa apo edhe një Fuqie të Madhe europiane deri në fundin e shekullit të XIX.

Konjuktura europiane filloi të ndryshojë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX dhe dy fuqi europiane, Austro – Hungaria dhe Italia, për shkak të interesave gjeopolitike të tyre në Ballkan, shfaqën interes për shqiptarët dhe në mënyrë graduale mbështetën aspiratat e tyre kombëtare deri në shpalljen dhe njohjen e shtetit të pavarur shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Me të mirat dhe të këqijat e saj, Shqipëria e 1913 është një krijesë europiane. Nuk ishte rastësi gjithashtu, që projektuesi dhe themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali, ishte një burrë shteti që në fazën finale u mbështet nga dy fuqitë europiane, Austro – Hungaria dhe Italia.

Shqipëria me këtë akt u rikthye në Europë duke u shkëputur pas gati pesë shekujsh nga Perandoria Osmane. U rivendos ura lidhëse e historisë shqiptare midis epokës së Skënderbeut dhe kohës moderne, që ishte njëkohësisht edhe një urë lidhëse midis shqiptarëve me Europën e qytetërimin europian.

Me Skënderbeun në mendje e flamurin e tij në dorë, Ismail Qemali, siç edhe dëshmon përmes kujtimeve të tij, donte t’u provonte “Fuqive të Mëdha se Shqipëria ishte e zonja të qeveriste veten dhe e meritonte besimin e Europës”, dhe se “vetëm një Sovran nga Europa mund të na udhëhiqte drejt familjes së madhe europiane, ku po hynim”. Sot, mbi njëqind vite pas rikthimit historik të Shqipërisë në Europë, ajo ende ndodhet në rrugëtimin e gjatë e të lodhshëm të bashkimit institucional me të.

Shqiptarët, përgjatë historisë së tyre, më tepër janë keqorientuar e keqqeverisur, ndaj, edhe nëse kanë ndarë me Europën vlerat, traditat e kulturën, nuk kanë ditur t’i afrohen asaj ose janë penguar që t’i bashkohen asaj. Ndaj edhe tingëllojnë mjaft aktuale çfarë Fan Noli, një shekull më parë, në agimin e shtetit të pavarur shqiptar këshillonte. Si detyrë kryesore të qeveritarëve shqiptarë ai nënvizonte marrjen “përsipër për të formuar e ndritur Shqipërinë e lirë, për të bërë një Shqipëri europiane, një Shqipëri të qytetëruar, një Shqipëri të fortë”.