PDK e cakton anëtarin e saj në KQZ, AAK e Nisma ende pa emër!

Koalicioni qeverisës PAN ka arritur marrëveshje për ndarjen e përfaqësuesve të anëtarëve në KQZ.

PAN-i do të ketë dy përfaqësues në KQZ, ku njëri nga ta do të jetë nga radhët e PDK-së, kurse tjetri nga AAK e Nisma.

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati.

Ai ka thënë se këtë parti në KQZ do ta përfaqësoj Betim Gjoshi i cili ka qenë anëtarë edhe në mandatin e kaluar.

“Ne e kemi kandidatit që e kemi pasur atje dhe pritet me u zyrtarizuar nga Presidenti”.

“PAN-i ka dy dhe ne siç jemi zemërgjerë si gjithë herë, ua kemi lënë pjesës tjetër me përzgjedh”, është shprehur Musmurati.

Lajmi.net ka provuar të marrë përgjigje edhe nga AAK nëse kanë vendosur për emrin se kush do ta përfaqësojë AAK e Nismën në KQZ, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Deri më tani as LDK e Vetëvendosje nuk kanë bërë të ditur emrat për anëtarë të KQZ-së.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ditë më parë ka treguar ndarjen e anëtarëve në KQZ sipas partive politike.

Ndarja sipas tij është kjo:

Koalicioni PAN dy anëtarë nga katër sa kishte deri më tani;

– Koalicioni LDK-AKR dy anëtarë nga një sa kishte (nëse nuk kanë marrëveshje të brendshme, të dy anëtarët mund të jenë nga LDK);

– Lëvizja Vetëvendosje dy anëtarë nga një sa kishte; dhe

– Katër anëtarë të tjerë komunitetet joshumicë (serb, turk, boshnjak dhe ashakali).

Anëtarëve të KQZ-së ka më shumë se një muaj që u ka skaduar mandate, ndërsa presidenti Hashim Thaçi në fund të muajit prill ka emëruar edhe për një mandate në krye të KQZ-së, Valdete Dakën.

SHPËRNDAJE