Partia Demokratike e Kosovës (PDK), insiston se kryetari i saj, Kadri Veseli të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit nga koalicioni PAN, pavarësisht qëndrimeve të Vetëvendosjes dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa se Veselin nuk do ta votojnë për kryetar të Kuvendit.

Edhe pse Vesli ende nuk është zyrtarizuar si kandidatë për kryetar të Kuvendit, post të cilin e mbajti edhe në legjislaturën e fundit, zyrtarë të PDK-së thonë se ai është kandidati më serioz për këtë post.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë të mërkurën se Veselit i takon që të jetë kandidatë për kryetar të Kuvendit. Ai është shprehur i bindur se Veseli do të marr votat e mjaftueshme për këtë post në raundin e parë të seancës së 3 gushtit.

“Ende nuk kemi caktuar asnjë kandidatë por besoj se në bazë të funksioneve si janë nda i takon z.Vesit që të jetë kandidati për kryetar dhe se askush nuk në parti nuk e konteston kandidaturën e tij”. Ai është shprehur i bindur se Veseli do të zgjidhet në seancën e parë”, është shprehur Haliti të mërkurën pas procesit të regjistrimit si deputetë i Kuvendit.

Nga ana tjetër Vetëvendosje dhe koalicioni LAA janë deklaruar se nuk do ta votojnë Veselin për kryetar të Kuvendit, por kanë kërkuar që nga koalicioni PAN të jetë një kandidat tjetër.

Por, për Drejtorin Ekzekutiv të ‘Demokracia Plus’, Valmir Ismaili posti i kryetarit të Kuvendit në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 i takon koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe partitë tjera nuk do duhej të vendosnin kushte për votim.

“Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është e qartë që pozita e Kryetarit të Kuvendit i takon koalicionit PAN. I përket këtij koalicioni që të vendos se kush do të jetë kandidati për Kryetar i këtij koaliconi dhe partitë tjera politike nuk do të duhej që të vendosnin kushte për votim. Të gjithë deputetët janë të barabartë, dhe secili prej tyre që ka mbështetjen e grupit më të madh parlamentar për t’u bërë Kryetar, në këtë rast koalicioni PAN, atëherë është kandidat që meriton të përkrahet”, ka thënë Isamili për lajmi.net.

Ai ka thënë se njëjti parimi Gjykatës Kushtetuese duhet të vlejë edhe sa i përket formimit të qeverisë. Pra nëse në rastin e pare koalicioni PAN nuk do t’i ketë numrat për t’a bërë qeverinë, atëherë mundësia e dytë duhet t’i ipet koalicionit tjetër, LAA.

E nëse PDK nuk ndërron kandidatin për kryetarë dhe i njëjti nuk merr votat e mjaftueshme, Isamili ka vlerësuar se në një rast të tillë nuk do të mund të fajësohej PDK që mban peng formimin e institucioneve.

“Asnjë subjekt politik nuk mund të vëjë kusht se kush mund të jetë kandidat për Kryetar të Kuvendit nga subjekti politik tjetër. Përderisa kemi në fuqi Kushtetutën që e kemi është shumë e qartë se kujt i takon posti i Kryetarit, dhe i takon subjektit politik që i takon ky post që të vendos për kandidatin”, është shprehur ai.

Sipas tij, vendi do të mund të futej në një krizë të ngjashme me atë të vitit 2014 nëse partitë politike i mbajnë të ngurta qëndrimet aktuale.

Ismaili vlerëson së në një situatë të tillë rol të madh luan edhe Presidenti i vendit i cili do të duhej të siguronte që përderisa Kryetari i Kuvendit do të duhej të zgjedhej nga koalicioni PAN, mundësia e dytë për formim të qeverisë do t’i ipej koalicionit LAA, nëse PAN nuk do kishte numrat.

Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA kanë deklaruar se Veselin nuk do ta votojnë për kryetar të Kuvendit, por ato kanë thënë se nëse koalicioni PAN, konkretisht PDK paraqet ndonjë kandidatë tjetër do të mund ta votonin.

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 3 gusht. Në këtë seancë do të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve e ma pas do të hidhet në votim zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së re.