Xhelal Neziri

E tërë historia e partive politike shqiptare është e përshkuar me përçarje të vazhdueshme. Fraksione, grupime, të pakënaqur, iniciativa apo klane në fund përfundojnë me subjekt të veçantë.

Dekadën e parë të pluralizmit në skenën politike shqiptare në Maqedoni, megjithatë, e shënuan dy parti – Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Këto dy subjekte shërbenin si qendra të gravitimit politik për të gjitha nismat e reja. Pra, arrinin të absorbojnë grupet dhe figurat e reja duke ruajtur atë sistem dypartiak, siç funksionon në kampin politik maqedonas.

Kur në vitin 2001 dështoi Këshilli i përgjithshëm i partive shqiptare, ish-lideri i PDSH-së Arbën Xhaferri i kishte thënë atëbotë kryesuesit të këtij këshilli, Ali Ahmeti – “bëje shtëpinë tënde”. Tentimi për koalicionim në kuadër të një Këshilli mbipartiak shkaktoi aktivizimin dhe përçarjen edhe më të madhe të katër partive të atëhershme – PDSH, PPD, PDK dhe BDI, si parti e formuar pasi dështoi Këshilli. Secili bëri shtëpinë e tij.

Që nga ky moment nuk ka cikël zgjedhor kur nga një parti ekzistuese të mos shkëputet ndonjë krah ideologjik apo gjeografik dhe të formojë një subjekt të veçantë. Nga PDSH dolën RDK, DR, LR-PDSH(Aleanca për Shqiptarët), Partia Republikane dhe disa tjera, kurse nga BDI dolën FRD, BESA, UNITETI etj.

Përçarjet shkuan përtej kësaj kur nga BESA dolën dy grupime të ndryshme, njëjtë edhe nga Aleanca. Në horizont duken edhe parti të reja si Lidhja për Drejtësi dhe Shtet, Partia Socialdemokrate apo nisma tjera që si moment promovues kanë zgjedhur çështjen e emrit.

Asnjëra nga këto partitë nuk u krijua nga kauza e njëmendtë, por ishte rezultat e inateve dhe mosdurimeve personale apo klanore. Nëse njerëzit me ide, bindje dhe vizione të përafërta grupohen në organizime partiake me qëllim të arritjes së qëllimeve.

Ky kallaballëk i partive, liderëve dhe nismave kanë shndërruar skena politike shqiptare në Maqedoni si një fushëbetejë, që i ngjan asaj në Siri: nuk dihet kush me kë është, kush kundër kujt është dhe kush çfarë dëshiron. Si e tillë bëhet e rëndë për t’u zgjidhur, mos them e pazgjidhshme.

Ku qëndron problemi që partitë shqiptare gjatë tërë kohës përjetojnë çarje e përçarje e assesi koalicione e përbashkime të batuara mbi afërsinë programore?

Përgjigjja qëndron në ndërtimin e raporteve midis individëve dhe grupeve brenda një subjekti, apo edhe të subjekteve politike midis tyre. Këto raporte, nga viti 2002 e këndej janë bazuar mbi jokorrektësinë, pasi politika nuk është kuptuar si “art i të mundshmes” por si “art i mashtrimit”. Ky raport vërehet jo vetëm në politik, por edhe në shit-blerjet dhe format e ndryshme të tregtisë, ku më shumë mbahet llogari që t’ia “ngulish” (thikën, apo ta mashtrosh) tjetrit, sesa të bëhet një pazar nga i cili të dyja palët do të dalin të kënaqur.

Është pikërisht strategjia e “të ngulmes” ajo që nxit përçarjet dhe i bën politikanët dhe klanet e ndryshme që të mos kenë besimin e nevojshëm për bashkëpunime afatgjate dhe të dobishme për të gjithë votuesit. Në vend të parimit të respektimit të marrëveshjeve, vazhdon të lartësohet parimi i “të ngulmes” – mashtrimit tipik dhe arkaik shqiptar.

Rrjedhimisht, raportet e bazuara mbi dallavere do të vazhdojë të prodhojë çarje të reja dhe koalicione afatshkurtër në skenën politike shqiptare në Maqedoni. Instalimi i vlerave evropiane në politik-bërje, ku fjala është fjalë dhe bashkëpunimi ka për bazë interesat dhe vlerat e përbashkëta, do të prodhojë edhe raporte të qëndrueshme si brenda subjekteve ashtu edhe në kuadër të koalicioneve.