Kryetari i komunës Qendër Andrej Zhernovski sot ka publikuar disa marrëveshje të cilat sipas tij, dëshmojnë të vërtetën e fatit të tre përmendoreve shqiptare të projektit “Shkupi 2014”. Sipas Zhernovskit, zvarritja e vendosjes së tre përmendoreve është bërë me qëllim dhe me njohuri të partive në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI të cilët madje kanë përdorur Komunën Qendër për të anuluar për një kohë të caktuar marrëveshjen për blerjen dhe derdhjen në bronz të përmendoreve në fjalë. Zhernovski madje tha se në marrëveshjen e lidhur me firmën Guastini nga Italia qëndron qartë se përgjegjës për transportin dhe vendosjen e përmendoreve është kjo e fundit, ndërkohë që Komunës Qendër i mbetet vetëm të paguaj parat të cilat paraprakisht janë paguar nga Ministria e Kulturës.

“Për 13 muaj të plotë anulohet blerja dhe derdhja në bronz e këtyre përmendoreve. Kjo tregon qartë se VMRO-DPMNE dhe BDI preferojnë të luajnë në kartën e tensioneve ndëretnike kjo për shkak se vetëm për këto përmendore është kërkuar të shtyhet afati. Gjëja e parë me të cilën u ballafaqova unë në fillim bashkë me kolegët ishte “vendosni menjëherë përmendoret”, kërkuan nga unë ti vendos menjëherë edhe pse vet ata kishin porositur që të njëjtat të bëhen gati në shtator të vitit 2013. Përse? Është shumë e qartë, që të luajnë në kartën e tensioneve ndëretnike”, deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

Zhernovski gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë që në seancën e radhës ta shlyej vendimin e seancës 12 janar 2016 ku obligohet Ministria e Vetëqeverisjes lokale që përmes Komunës Qendër të organizoj transportin e përmendoreve nga Viçenca e Italisë, në të kundërtën siç tha Zhernovskit do të ngrit padi. Ndryshe Zhernovski edhe një herë përsëriti se nuk ka njohuri rreth përpunimit të tre përmendoreve shqiptare.