Zgjedhjet lokale të tetorit do të zhvillohen për një betejë apokaliptike se kush do të triumfojë për më tepër pushtet ndaj tjetrit, kështu dhe frika rritet gjithnjë e më shumë për të ruajtur në njërën anë dhe për të fituar në anën tjetër pak pushtet nga të dyja blloqet politike, këtyre ditëve u plasuan informacione se ekziston marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi mes LSDM-së dhe BDI-së.

Kjo marrëveshje parazgjedhore erdhi si pasojë për të fituar kontroll në disa komuna duke përkrahur njëra-tjetrën në zgjedhjet lokale që do të realizohen më 15 tetor të këtij viti.

Analisti politik, Bujar Plloshtani ekskluzivisht për Gazetën Express e ka shigjetuar këtë marrëveshje, duke e quajtur “marrëveshje tinëzare” mes LSDM-së dhe BDI-së, duke e cilësuar si një lojë të kurdisur që nuk e kanë për synim pasqyrimin e realitetit politik të vullnetit të palëve, por për qëllime politike. Ai këtë marrëveshje e quan sfidë joreale dhe jodemokratike, për të cilën paralajmëron se qytetarët si pasojë e kësaj marrëveshjeje mund të thellojë ndasitë, që me gjasë mund të shpërthejë në padëgjueshmëri praktike.

Marrëveshja tinëzare midis LSDM-së dhe BDI-së për ta mbështetur njëra-tjetrën në zgjedhjet lokale për të përfituar padrejtësisht dhe pa besueshmërinë e nevojshme të qytetarëve, lirisht mund ta vlerësoj si një moment që do ta përmbys në thelb atë pak autoritet që e fitoi Zoran Zaev, kur kishte marrë përsipër që atëherë si shef i opozitës për të ç’rrënjosur regjimin e Nikolla Gruevskit. Ai dikur, që nga pozita e shefit të opozitës, kur mori përsipër misionin për të udhëhequr me aferën e përgjimeve të paligjshme të titulluar “E vërteta për Maqedoninë” nxirrte në pah keqmenaxhimet e pushtetit të deridjeshëm dhe drejtonte shpeshherë akuza në drejtim të Ahmetit, se ky i fundit ishte përgjegjës në njëfarë mënyre për mbajtjen në pushtet të regjimit të Gruevskit.

Marrëveshja tinëzare midis LSDM-së dhe BDI-së për të përkrahur kandidatët e njëri-tjetrit nuk e shoh ndryshe, pos një loje të kurdisur mirëfilli për pasqyrimin e interesave të ngushta partiake, ku realisht nuk do të pasqyronte realitetin politik të vullnetit të palëve, por instalimin e një sistemi tjetër jo shumë të largët me atë të regjimit të Gruevskit. Kuptohet përjashtimi i reprezantimit të vullnetit të palëve pasqyron për një sistem jodemokratik.

Këtë marrëveshje midis tyre e konsideroj si një marrëveshje tinëzare, ku më tepër përjshatohet vullneti i lirë i sovranit, dhe se instalohet interesi vetjak politik. Kjo do të ndikonte në rebelimin e qytetarëve të vetëdijshëm nga të dyja blloqet politike dhe se do të ketë pakënaqësi, që me gjasë mund të shpërthejë në padëgjueshmëri praktike.