Shkruan Liridona Vejseli

“Po pse nuk e ke pyetur pse e vrau gruan” -Ja, kjo është fjalia e parë kur komentohet një akt i shëmtuar i vrasjes së një gruaje! E çuditshme por, shumë e vërtetë, kujdes është e çuditshme për ju që lexoni dhe e kuptoni se, autori që ka kryer vrasjen është burri i saj dhe ka vrarë guran e tij. Një akt i rëndë ky! Por, është shumë domethënës motivi pse e ka vrarë atë, për të gjithë ju të tjerët që këroni “Pse-në” e arsyetimit për burrin vrasës!

Një ndër historitë më të rënda që kam dëgjuar është kur para një viti, analizonim për kushtet dhe rrethanat në të cilat ishin trajtuar grate e dhunuara, që kishin përfunduar në formën më të rëndë të vrasjes së tyre, në Femcid, një punonjës policie, tregoi me mburrje se ai dhe kolegët e tij, kur kanë dëgjuar se një grua është vrarë nga burri i saj sepse, e kishte tradhëtuar, ata janë interesuar se me kënd e kishte tradhëtuar, pra nuk janë marrë me problemin real, se një burrë ka bërë një akt të dënueshëm rëndë, ka vrarë një njeri por, janë vënë në kërkim të gjetjes së detajeve tjera!

Ja këto jemi ne! Nuk dënojmë vrasësin por viktimën. Sot një grua e dhunuar është më e pambrojtur se kurrë, sipas të dhënave të organizatës joqeveritare “RRNKDHG” institucionet dhe shteti në 16 rastet e fundit që kanë përfunduar në vrasje të grave, tregojnë se këto gra nuk janë mbrojtur mjaftueshëm!

Këto gra nuk janë mbrojtur nga insitucionet, të cilat ofrojnë vetëm 0.2% mundësi mbrojtjeje për to, por edhe pas aktit të rëndë të vrasjes ato dhunohen, përçmohen dhe etiketohen me epitetet më të rënda, gjithmonë duke vënë në dyshim moralin e tyre! E për burrin vrasës, shkon një trimërim nga burra të tjerë, që i japin të drejtë në veprimin e tij!

A e kuptoni çfarë mbështesni, një njeri që i ka marrë jetën një vajze të dikujt, një nëne të dikujt, një motre të dikujt, një gruaje, një qenje aq të brishtë që quhet “Grua”, e një grua tjetër të mbajti edhe ty për 9 mauj në barkun e saj, e pastaj të dha jetë, u kujdes për ty dhe vazhdon ta bëjë atë deri në frymën e fundit!

Pavarsisht rrethanave, pavarsisht motivit, askush nuk ka luksin që të privojë jetën e tjetrit, asksush nuk guxon të mendojë për motivet por, duhet kërkuar dënimi i autorit me dënimin më të lartë. Vrasësi meriton të përfundojë pas grilave! Uroj në ngritje të vetëdijes së shoqërisë sonë dhe të jetë rasti i fundit që vrasim gratë…. Në të gjithë format!