Që jemi vendi i çudirave as duhet ta diskutojmë, na mbetet vetëm të mburremi me çudirat tona…

Të flasësh për çuditë shqiptare, vështirë se mund t’i shkruash në një shkrim, ndaj po flas sot vetëm për një nga çuditë e vendit tim, që është ajo e kësaj klase politike, pavarësisht se vetë kjo klasë politike është një çudi.

Them është çudi, pasi nuk ka vend të botës që të ndodhë siç ndodh në Shqipërinë tonë, gjatë gjithë këtyre viteve të proceseve demokratike. Çuditë e klasës politike shqiptare nuk kanë të sosur, nuk kanë anë dhe fund. Por, më shumë më shqetëson fakti se si nuk çuditemi ne qytetarët e këtij vendi me çuditë që vijnë si rezultat i sjelljes dhe veprimit të politikanëve tanë, në këto tre dekada. Si nuk na bëjnë përshtypje?! Si ka mundësi dhe e kalojmë me heshtje faktin që, në këto vite demokracie numri i të vrarëve, thonë se i kalon të 3.000? Si pranojmë dhe bëjmë indiferentin ndaj marrëveshjeve në dëm të shqiptarëve, Shqipërisë dhe Kombit? Si mund të ndjehemi të qetë dhe të rehatuar, kur shikojmë që na kanë qeverisur, drejtuar dhe udhëhequr njerëzit dhe qeveritë, të cilat ne si komb nuk i meritojmë?

A mund të ndjehesh mirë, si qytetar i këtij vendi, kur dëgjon se afro gjysma e shqiptarëve janë larguar e po vazhdojnë të largohen nga Shqipëria çdo ditë?

A nuk është çudi e kësaj klase politike, kur shikon që nga njëra anë rritet analfabetizmi dhe nga ana tjetër shtohen universitet? A nuk është paradoksale, kur shikon se rritet banditizmi, shtohet krimi, lulëzon kanabisi, vegjeton korrupsioni, ndërsa drejtësia nuk dihet se ku e ka adresën?

Çfarë duhet të themi, kur kemi numrin më të madh të mediave në botë për frymë të popullsisë, por për fat të keq e njëjta dorë i drejton dhe komandon?

Si mund ta quajmë demokratike politikën dhe klasën politike shqiptare, ndërkohë që për tridhjetë vjet udhëhiqemi nga të njëjtët politikanë, drejtues e parti politike?

Çfarë duhet të presim tjetër nga politika e politikanët shqiptarë, pasi politikani ynë i bën të gjitha, me përjashtim detyrimin ndaj qytetarëve të vendit të tij?

A nuk është çudi shqiptare, fakti që politikanët, krerët e politikës në Shqipëri, nuk bëjnë asnjë veprim deri dhe në “familjet e tyre”, pa marrë leje nga ambasadorët e akredituar në Shqipëri?

Vallë, a ekziston ndonjë vend i botës ku shtetari e pushtetari sillet më pronat e vendit e pasurinë kombëtare, siç veprojnë shtetarët dhe pushtetarët tanë me pronën e Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Por, çudia më e madhe e kësaj “paçavure” klase politike, është se për rreth tridhjetë vjet këta batakçinj, përballen me votuesit shqiptarë, ku nga “djaj” kthehen në “engjëj” dhe kërkojnë atë “dreq” vote për atë çikë pushtet… Dhe vetëm atëherë, ne s’u besojmë as syve tanë, se sa “engjëj” janë, se si flasin, se sa të duan, se si të përqafojnë dhe janë të gatshëm të të puthin atje, ku as nëna s’të ka puthur… Dhe ne, fatkeqët, sa nuk fluturojmë nga çfarë na premtojnë e na gënjejnë ata…

Por, çudia nuk mbaron këtu… Ajo, këtu fillon, pasi këta “Pusht-etarët”, e marrin atë “dreq” votë, e nuk kthehen më tek ne, nuk na njohin më, të harrojnë jo vetëm fytyrën, zërin apo telefonin, por harrojnë dhe fshatin prej nga kanë ardhur…

Për ata, ti nuk ke ekzistuar kurrë… Premtimet, fjalët dhe dashuria e ngrohtë e tyre mbeten thjesht një ëndërr, që nuk bën kurrë vaki të dalë, megjithëse i madhi Luftar Paja i thoshte “krushkës”: -Ëndrra janë, bën vaki e nuk dalin…

Kjo çudi po arrin kulmin, e cila tashmë është bërë jo refren, as modë, por parim…

Ata nuk mburren me “sukseset”, “rezultatet”, me “premtimet”, ata nuk krenohen për “lulëzimin” e vendit, ata nuk kënaqen me “lumturinë” e shqiptarëve, ata nuk kanë nevojë më për media, se mediat tashmë iu luten, tashmë ata kanë edhe mediat e tyre…

Ata i shikon çdo ditë në ekrane, gazeta dhe portale, të gëzuar e euforikë, të fryrë si “kaposhët e Vitit të Ri”, njëri më shumë se tjetri, si majtas dhe djathtas, gati në ekstazë të plotë…

Por për ata, lumturi, sukses, gëzim, privilegj dhe arritje, është ulja në tryeza, në darka e dreka me punonjës e komisionerë të BE-së… Kjo është çudia e këtyre çudive, në vend të kërkonin vlerësimin e votuesit, të qytetarëve shqiptarë, të popullit, të këtij vendi që tashmë po rënkon, ata krenohen për “arritje e fitore” duke trumbetuar me të madhe se: “Ne, na vlerëson BE-ja”.

Secili dhe çdo forcë politike,vazhdojnë të trumbetojnë me të madhe, sipas interesave të tyre, analizat, komentet, fjalët dhe rezultatet e BE-së… Kurse ne heshtim, pajtohemi me ta, na dhimbsen, i mëshirojmë, ndërkohë që duhet t’i shporrim njëherë e mirë, nga “faqja” e historisë së këtij vendi.

Ndryshe, nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të vazhdojnë e të çuditemi me çuditë e tyre të radhës…

Nga Fejzo SUBASHI