Palmat e pushtetit paraprak përveç që e zbrazën arkën e shtetit për gjysmë milion euro, tani po bëhen kërcënim serioz për shfarosjen e mundshme të pyjeve në vend, pasi me vete kanë sjellë insekte të dëmshme.

Sjellja e një materiali të tillë nga vende të largëta ekzotike, nënkupton edhe rreziqe tjera. Tashmë kemi dëshmi që do të publikohen së shpejti për një patogjen konkret nga një vend ekzotik, i cili deri më tani është i panjohur tek ne dhe në rajon- deklaroi Kiril Sotirovski, dekan i Fakultetit të Pylltarisë.
Ekspertët thonë se duhet të ndërpritet propaganda dhe se është koha që të mbillen lloje autoktone me gjeth të gjerë të drunjve, që do të mundësojnë pastrimin e ajrit dhe pengimin e erozionit. Sipas tyre, në 10 vitet e kaluara fare nuk janë dëgjuar rekomandimet dhe mendimet e profesorëve universitar dhe se mbjelljet janë bërë sipas dëshirës e jo sipas nevojës reale. Sotirovski thotë se në vend të politikanëve, ekspertët duhet të tregojnë se ku duhet të ketë mbjellje.

Ne kemi shumë vende të zbrazura, të lëna anash edhe për shkak të migrimit por edhe për shkak të kultivimit jopërkatës. Gjatë kohë janë mbjellë pemë gjethmbajtëse dhe duhet t’i kthejmë pemët me gjeth të gjerë- shtoi Kiril Sotirovski.
Para disa viteve në disa qytete në vend u mbollën 1100 palma, ndërsa qeveria për to ndau mbi gjysmë milion euro. Gjatë dimrit të gjitha palmat në Shkup u thanë. Në 70 vjetorin e themelimit të fakultetit të pylltarisë, ekspertët e kësaj fushe paralajmëruan se nëse pyjet nuk mbrohen nga prerja e pakontrolluar, ka kërcënim serioz që rajoni të mbetet pa ujë të pijshëm.