Problemet jetësore për shqiptarët e Maqedonisë…

Nga Besarta Xhoni

Kriza ekonomike, politike dhe sociale, si përzierje materiesh përbëjnë receptin e një metamorfoze pa kripë në jetën e njerëzve. Por këto lloje krizash janë si një lloj gripi që një person në jetë duhet ti tejkalojë patjetër.

Gjithsesi, me këtë nënkuptojmë që ky nuk është problemi i këtij organizmi të quajtur shtet. Gjëja më e rëndësishme në një organizëm nuk është gripi, por shkaqet që e sollën këtë sëmundje, diagnoza e problemit dhe rrugdalja nga kjo krizë. Ne këto kriza i quajtëm si shkak i tranzicionit, jo shumë të rëndësishme, duke menduar që është një grip sezonal, por që nuk po mbaron me vite. Si duket, sëmundja është vdekjeprurëse. Së paku, asaj rruge jemi drejtuar.

Kanceri ka kaluar në metastazë. Rinia po ik jashtë shtetit, papunësia me shifra marramendëse, arsimimi jo kualitativ, administrata në gjumë etj. Ëndrrat e rinisë janë fundosur në thellësinë e dëshprimit, ku mërgimi depërton si rrezet e forta të diellit për ta, duke marrë me vete imagjinatën, atë imagjinatë të ndeshur me shkëmbin e dashurisë për vendlindjen së bashku me valët e vuajtjes.

Kjo është jeta. Vendi jonë prodhon shumë mjek, inxhinjer dhe të tjerë, që mundohet ti rrit nga lindja, në shkollim dhe karrierë, por në fund të fundit, për vendet e jashtme janë lëndë e parë. Ata po e thithin rininë tonë, një nga një, si plumbat e gjahtarëve në gjueti. Pas një apo dy dekadave, kur globalizimi do të bëhet përditshmëri, çfarë rëndësie do të ketë termi Shqiptari?! Kur fëmijët e mërgimtarëve tani më kanë filluar të flasin gjuhët e huaja, dhe të harrojnë gjuhën e tyre! Me çfarë peripeci afatgjate do të përballemi, në një të ardhme jo të largët? Po jua them me bindje të plotë, ndonëse ndjejë shumë keqëardhje, unë veçse kam filluar të nuhasë shkrirjen e kombit tonë. Siç thotë një proverbë e vjetër, peshku i madh e hanë peshkun e vogël, edhe kombet e mëdha do të shkrijnë kombet e vogla me furrën e quajtur globalizim. Shqiptarët e Maqedonisë, kanë më shumë higjienë mendore se sa ju e imagjinoni, por ç’mund të bëjmë në këtë vend, kur jeta e njeriut nuk ka kurrfarë sigurie, gjaku konsiderohet ujë, e paraja mbret. Jemi persona me aftësi të kufizuara, pasi që jemi të verbëruar nga interesi dhe jemi të shurdhur për hallegjinjët.

SHPËRNDAJE