Që nga fillimi i krizës së lirës turke, Berat Albayrak, ministri 40-vjeçar i Financave dhe Thesarit, ka dalë si figurë qendrore, fjalët e të cilit monitorohen nga afër në tregjet globale.

Albayrak, i cili është i martuar me vajzën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, para së të merrte portofolin e Financave ishte ministër i Energjisë që nga viti 2015, pak pasi u bë deputet i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në Parlamentin e Turqisë.

Në paraqitjen më të fundit që kur hyri në sferën publike, ai iu drejtua gazetarëve dhe bankierëve rreth planeve të tij për një model të ri ekonomik të Turqisë.

Ekonomia turke ka një vlerë totale prej 880 miliardë dollarësh.

Sipas shumë mendimeve pas daljes së tij të fundit, jalimi që ai mbajti nuk qe shumë bindës dhe hapur tregoi se ishte në siklet, duke iu referuar faktit se heraherës fshiu djersët nga balli i tij.

Sipas disa analistëve, ai nuk ka përmbushur ende pritshmëritë, kjo për shkak të mungesës së detajeve në lidhje me qëllimet e reja të rritjes ekonomike, shpenzimeve dhe menaxhimit të deficitit buxhetor.

Sipas vëzhguesve, në vend të recetave, ai dha udhëzime filozofike për ekonominë turke, pa veçuar asnjë hap konkret.

“Ishte shumë zhgënjyes”, tha Timothy Ash, strateg i lartë i tregut në BlueBay Asset Management.

“Albayrak është në këtë pozicion po prej një muaji, por ai nuk dha detaje … Ne dëshironim detaje të hollësishme, donim informacione vërtet specifike se si Albayrak do t’i përmbushë këto qëllime”, tha ai.

Duke folur për televizionin publik turk TRT, Ash shtoi: “Nuk kishte detaje se çfarë do të përmbusheshin me të vërtetë në lidhje me veçantinë e reduktimit të deficitit buxhetor”.

Në fjalimin e së enjtes me investitorët e huaj, Albayrak u përpoq t’i bindë ata se ai është një njeri që mund t’i besohet ekonomia 880 miliardë dollarëshe.

“Turqia është një objektiv i intrigave të huaja”, tha ai.

Babai i Albayrak, Sadiku, ka qenë gazetar i njohur dhe përkrahës i Partisë Islame e cila u shkri nga ushtarakët 30 vjet më parë.

Sadiku është një mik shumë i vjetër i Erdoganit. Këto lidhje nxitën dyshimet për ministrin më të rëndësishëm të qeverisë turke.

Shefat e mëparshëm ekonomikë, si Mehmet Simsek dhe Ali Babaxhan, zakonisht konsiderohen si financierë të besueshëm që mund të drejtonin Turqinë përgjatë linjave ekonomike të ashpra.

Tek Albayrak, analistët shohin një mbrojtës të presidentit dhe një njeri që nuk ka gjasa të kundërshtojë qëndrimet e Erdoganit në lëvizjet e tij.

Ashtu si vjehrri i tij, Albayrak, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Turqia është një objektiv i intrigave të huaja për të minuar ekonominë e saj. Ai u emërua ministër i Financave në sistemin e ri presidencial, muajin e kaluar.

Lira turke pësoi një goditje duke rënë me më shumë se tre për qind kundrejt dollarit, e tashmë po merr veten dalëngadalë.

Analistë të tjerë, megjithatë, nuk e kritikuan Albayrak-un aq shumë.

Can Selcuki, drejtues në Hulumtuesin Ekonomik të Stambollit, e përshkroi prezantimin e javës së kaluar si “të mirë”.

“Gjërat që ai paraqiti si argumente ekonomikisht të pranueshme janë të gjitha të mira nga një këndvështrim normative”,tha Selçuki.

“Askush nuk mund t’i kundërshtojë ato, por koha e prezantimit erdhi kur tregu dukej se donte diçka më konkrete”, shtoi ai.

Albayrak lindi në Stamboll në vitin 1978. Ashtu si Erdogan, familja e tij emigroi nga Deti i Zi, nga Trabzoni. Përflitet gjithashtu se është dhe me origjinë shqiptare.

Nuk ka shumë informacion në lidhje me jetën e tij në vogëli e më pas në rini, veç të dhënave që u diplomua në Administrim Biznes në Universitetin e Stambollit, mori master në biznes në Neë York University, ndërsa doktoraturën e mbrojti në Universitetin “Kadir Has” në Stamboll.

Albayrak ka dhënë leksione si pedagog i brendshëm në në Universitetin e Marmarasë.

Ai u martua me Esra Erdogan në vitin 2004, dhe në dasmën e tyre ishin shumë udhëheqës botërorë. Ky çift ka tre fëmijë.

Dy vjet pas martese, në moshën 29vjeçare, ai pati një ngjitje çuditërisht të shpejtë; Albayrak u emërua kreu i Çalik Holding, një konglomerat privat me lidhje të ngushta me qeverinë,

Pasi ai u largua nga Çalik, në fund të vitit 2013, ai filloi të shkruante në çështjet ekonomike për një gazetë pro-qeveritare.

Emërimi i tij në qeverinë du vjet më parë t ngjalli kundërshtimin në Ankara, ku është përfolur se kryeministri Ahmet Davutoglu ishte kundër kësaj lëvizjeje.

Emërimi u bë në të njëjtën ditë kur forcat ajrore turke hodhën një aeroplan luftarak rus në kufirin sirian, duke çuar në një ftohje të marrëdhënieve me Rusinë.

Pas rrëzimit Rusia nisi një sulm personal mbi Erdogan, duke dhënë deklarata që rrethi i tij i ngushtë, duke përfshirë Albayrak, kanë kryer tregti me ISIS.

Gjatë periudhës kur ai ishte në krye të Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Albayrak ka fituar një reputacion të rëndësishëm – një rol që ka shqetësuar disa zyrtarë të lartë të AKP-së.

Këtë muaj, kamerat televizive kapën momentin kur ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu ka shtyrë Albayrak-un pas ceremonisë në Ankara, si një shenjë e armiqësisë të thellë mes dy zyrtarëve të qeverisë.

Por ata më vonë shtrënguan duart, si një shenjë pajtimi publik.

Megjithatë, javën e ardhshme do të shihet nëse Albayrak do të arrijë të kalojë një nga pengesat më të forta në tregun global.