Familjen nuk e kurorëzon ardhja e një fëmije – fëmijët janë dhurata, kurorëzimi i bashkëjetesës midis një çifti, por kjo s’do të thotë që familja nuk mund të qëndrojë pa fëmijë.

Albana Baze
Psikologe e Zhvillimit Kulturor

Në një marrëdhënie, martesore apo jashtë saj, kur një çift është duke përjetuar 9 muajt e nënës shtatzënë, e cila pret të lindë fëmijën, rekomandohet një kohë apo pushime të veçanta që do t’i ngjasonin muajit të mjaltit e që në perëndim njihet me konceptin “babymoon”- muaji i bebes. Kjo kohë është tepër e rëndësishme për çiftin.

Janë pushimet e fundit vetëm, ose, edhe pse rekomandohet që çifti gjithmonë të ketë kohë vetëm, si çdo prind larg fëmijës, do vazhdonte të ndihej disi i preokupuar për të nën kujdesin e dikujt tjetër. Në rastet më të shumta, familjarët do i kalonin pushimet bashkë kur fëmija vjen në jetë. Koha speciale për çiftin para lindjes së fëmijës do të rifreskonte romanticitetin dhe do të kontribuonte në cilësinë e intimitetit.

Familjen nuk e kurorëzon ardhja e një fëmije – fëmijët janë dhurata, kurorëzimi i bashkëjetesës midis një çifti, por kjo s’do të thotë që familja nuk mund të qëndrojë pa fëmijë. Duke u nisur nga ky këndvështrim, psikologët sugjerojnë se, në mënyrë që fëmijët të mos komprometojnë afrimitetin e çiftit, këta të fundit duhet të mos harrojnë se të parët në këtë familje janë pikërisht ata, të cilët krijuan familjen, dhe çdo dhuratë që vjen bëhet e mundur pikërisht nga ekzistenca dhe intimiteti i këtij partnershipi.

TË ADAPTOHESH me një qenie të vogël nuk ka qenë e lehtë për asnjë çift, e me këtë nuk flas për ambientin rrethues apo për aspektin socio-ekonomik të shoqërisë ku çifti jeton. Sidoqofshin kushtet, këto momente të brishta për një çift, kur një qenie e re i bashkohet familjes, do të kërkonin nga ata vëmendje, afeksion, kohë të veçantë, të gjitha këto e më shumë, të ndara tashmë në tre/katër, etj.

ËSHTË E DOMOSDOSHME që koha që prindërit i japin fëmijës duhet të jetë e balancuar në sasi dhe cilësi, pa neglizhuar apo nënvlerësuar vëmendjen që ata duhet të vazhdojnë t’i përkushtojnë njëri-tjetrit. Ndryshimet që vijnë në jetën e çiftit si rrjedhojë e rritjes së detyrave dhe përgjegjësive sjellin natyrshëm edhe situata të vështira, kaotike, në të cilat shumë çifte ndihen të pamundur për të bërë diçka. Çiftet nuk duhet të harrojnë që problemet janë të pranishme në pjesën më të madhe të familjeve dhe se përgjigjja në këto raste është e pakompromentueshme -Të zgjidhni problemet bashkë!

STUDIME të kryera, që lidhen ngushtë me qëndrimet dhe ndjesitë e prindërve të rinj, sjellin për diskutim divorcin, fenomen ky që lidhet edhe me ardhjen e fëmijës në jetën familjare të çiftit. Studiuesit nga Universiteti i Uashingtonit reflektuan mbi uljen e nivelit të kënaqësisë bashkëshortore kur në jetën e çiftit vjen fëmija i parë, që më pas mund të çonte në divorc. Në komunitetin që jetojmë janë një sërë faktorësh të ndryshëm që do ta drejtonin një çift në divorc. Ky studim nuk ka për qëllim të theksojë se ardhja e fëmijës do të sillte divorc.

Nuk ka asnjë garanci se të mos pasurit fëmijë nuk do sillte pakënaqësi. Studimi ka për qëllim të ndërgjegjësojë çiftin në atë që, pas ardhjes së fëmijës ndryshimi sjell përgjegjësi dhe angazhime të reja, të cilat mund të ulnin kënaqësinë martesore. Kjo e fundit në një terren të brishtë do të çonte në divorc.

SI PRIND I RI, përpiqu të kuptosh çfarë fshihet pas një pakënaqësie martesore. Depresioni postpartum, i njohur si sindroma që shoqëron gratë pas lindjes, duke theksuar ankthin si mbizotërues të emocioneve të saj, shpesh është prezent në përgjegjësinë që ajo po përjeton. Dilema si “A po i bëj gjërat siç duhen?” është prezent në jetën e nënës së re. Shpesh baballarët, pavarësisht nëse janë tradicionalë apo jo, muajt e parë i kalojnë duke bërë rolin e kujdestarit për çka mund t’i nevojitet nënës apo fëmijës, duke lënë mënjanë rolin e prindit apo të partnerit.

Gruaja mund të ketë filluar të vërë në pikëpyetje sa aktiv partneri i saj është, nëse ai vazhdon ta dëshirojë atë, e në anën tjetër partneri pyet veten nëse gjërat që po bën për të i ka bërë si partnerja do. Në këto kushte, flisni gjithmonë për ndjenjat tuaja. Presionet mund të zgjidhen pasi frika apo pasiguritë janë komunikuar me njëri-tjetrin. Kjo do ta fuqizonte bashkëjetesën apo martesën tuaj.

Një shprehje që e dëgjojmë shpesh thotë: “Fëmija e lidh çiftin më shumë”. Në rastin më të mirë, kjo do të realizohej nëse çifti do vazhdonte të vlerësonte njëri-tjetrin e të dhurojë vëmendje në funksion të afeksionit, të tregojë përgjegjësi ndaj angazhimit të ri, si dhe të zgjidhë problemet që mund të kontrollohen bashkë.

Një thënie në perëndim thotë, “Kur vijnë fëmijët, çifti fle në orën 23:00”. Intimiteti i çiftit fillon e zbehet kur fëmija vjen në sfondin familjar. Kjo për disa arsye, të cilat në familje të ndryshme do të haseshim me dinamika të ndryshme. Angazhimet, puna, jeta sociale, fëmija i sapolindur me gjithë nevojat e tij etj. influencojnë në vitalitetin e çiftit, energjinë e tij gjatë kohës intime. Kur duket se koha është pamundësia që hasni, atëherë bëni kohë për të shëtitur vendet që janë domethënëse për ju, kohë për t’u përqafuar, për marrëdhënie intime.

MBANI GJATË INTIMITETIN tuaj, afeksionin për njëri-tjetrin edhe kur jeta ju dhuron fëmijë! Kur duket e pamundur, krijoni kohën e veçantë apo pushime me njëri-tjetrin, e më pas bashkë me fëmijët! Identifikojini problemet dhe zgjidhini ato së bashku! Përkatësia afektive është në vetvete kurorëzimi i një angazhimi paraprak.

Asnjëherë mos e harroni rrugën e gjatë që keni përshkruar për të ardhur deri këtu, por gjithmonë ujiteni ndjenjën tuaj, afrimitetin, intimitetin, për të shijuar vitet që ende keni për të ndarë. /Telegrafi/