Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Rusia nuk do të marrë masa kundër rusëve të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, nëse ata nuk kanë thyer ligjet ruse.

Në një intervistë për NBC, të transmetuar më 2 mars, Putin ka thënë se Rusisë nuk i janë prezantuar të dhëna zyrtare apo ndonjë kërkesë për ekstradim nga këshilltari special amerikan, Robert Mueller.

Muajin e kaluar, Mueller ka ngritur padi ndaj 13 rusëve dhe tri kompanive po ashtu ruse për supozimet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

“Ne nuk mund të përgjigjemi, nëse ata nuk e kanë shkelur ligjin rus”, ka thënë Putin për NBC.

“Njerëzit që janë të edukuar duhet të kuptojmë se ne në Rusi nuk i ndjekim penalisht personat që nuk e kanë shkelur ligjin rus”.

“Duhet të ketë një kërkesë zyrtare tek Prokurori i Përgjithshëm i Federatës Ruse. Ne jepni dokumentet, na nisni një kërkesë zyrtare”, ka thënë Putin.

“Kjo duhet të shkojë përmes rrugëve zyrtare dhe jo përmes mediave apo thirrjeve të Kongresit amerikan”, ka shtuar presidenti rus.

Deklaratat e Putinit konfirmojnë atë se Rusia nuk do të dorëzojë 13 qytetarët rusë të identifikuar në paditë e Muellerit.

Rusia nuk ka traktat për ekstradim me Shtetet e Bashkuara.

Pa ndihmën e Moskës, Mueller ka pak shpresë për vazhdimin e rastit kundër të dyshuarve, të cilat akuzohen për përdorimin e një rrjeti të llogarive të rreme në mediat sociale, që kanë pasur për qëllim çrregullimin e debatit në zgjedhjet presidenciale amerikane.