Qeveria pasdite, në seancën e saj të 58-të e miratoi propozim-ligjin për mbështetje financiare të investimeve, ku krahas investuesve të huaj dhe të vendit, vend në ligj morën edhe investimet nga diaspora, si investime me interes të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë.

Ky ligj e vendosë kornizën juridike për realizim të masave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë nga programi për rritje ekonomike.

“Në pajtueshmëri të këtij ligji, për investime fillestare investuese të subjekteve afariste të bazuara nga shtetas të Republikës së Maqedonisë, të cilët kanë vendbanim ose qëndrim të përkohshëm jashtë Republikës së Maqedonisë dhe në qoftë se investimi u dedikohet: projekteve investuese me interes të rëndësishëm ekonomik për Maqedoninë, rritje të investimeve kapitale, shlyerje të mjeteve materiale nga subjekte afariste me vështirësi, ose në pjesën e rritjes së konkurrencës, mbështetja financiare rritet për 10 për qind shtesë”, informojnë nga Kabineti i ministrit të Diasporës.

Kjo, theksojnë, është raporti të cilin diaspora e meriton nga vendi amë.

“Këto janë vendime dhe masa konkrete të cilat janë benefit edhe për Republikën e Maqedonisë edhe për diasporën. Qeveria e RM-së e kupton domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik midis shtetit dhe diasporës, madje pikërisht harmonizimi i këtij ligji do të jetë stimul fillestar për lëvizje në këtë drejtim”, potencojnë nga Kabineti i ministrit të Diasporës.