Qoftet me mish janë të rënda për tani në verë, por ju nuk keni pse kufizoheni. Qoftet mund t’i përgatisni edhe me përbërës të stinës, siç janë këto qofte me patëllxhanë, të përshtatshme edhe për fëmijët që nuk i pëlqejnë pjatat tradicionale me perime.

Përbërësit:

500 g patëllxhanë

150 g djathë kaçkavall që shkrin, i prerë në kubikë jo shumë të vegjël

60 g djathë Parmigiano i grirë ose 50 g kaçkavall i grirë

4-5 kokrra vezë

3 thelpinj hudhër

1 tufë majdanoz

1 spec djegës (një pjesë të tij)

bukë e thekur e grirë

kripë e piper sipas dëshirës

vaj kikiriku për t’i skuqur

Përgatitja:

1.Patëllxhanët, të larë dhe të tharë i shpojmë në disa vende me majën e thikës dhe fusim aty copa hudhre (vetëm të 2 thelpinjve). I vëmë në tavën e furrës me letër furre dhe i lëmë të piqen në furrën e ngrohur më parë në 200° C derisa të shohim që lëkura është vyshkur dhe hiqet lehtësisht.

2.I heqim nga furra, i vëmë në një tas, i mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe i lëmë të ftohen. Kur të jenë ftohur, u heqim lëkurën dhe tulin e kalojmë në një sitë që t’i heqim lëngun, duke i shtypur mirë me dorë.

3.Në tasin ku kemi hedhur tulin e patëllxhanëve të shtrydhur nga uji, shtojmë 2 vezë, djathin Parmigiano, thelbin e hudhrës që na ka mbetur (të shtypur me shtypësen e hudhrave), pak spec djegës të grirë, kripë e piper dhe majdanoz të grirë. I përziejmë të gjitha me dorë ose me lugë druri.

4.Me brumin, bëjmë me dorë qofte të rrumbullakëta, u fusim në mes një copë djathë, i ngjeshim mirë që të mos dale djathi gjatë skuqjes, i lyejmë me vezët e rrahura më parë me pirun, më pas me bukë të thekur të grirë duke i shtypur fort që ajo të ngjisë te qoftja, dhe më pas i skuqim në vaj të nxehtë. I heqim dhe i vendosim në pjatë me letër thithëse kuzhine që t’u heqim vajin e tepërt.