Shkruan Ilire Dauti

Për qytetarin e rendomtë për atë që jeton me realitetin, Maqedonia është shteti ku në emër të jetës jeta nuk ka vlerë, pa luftë të shpallur, por në luftë me njëri tjetrin, vendi ku armiku ka veshur petkun e mikut e miku të armikut, vendi me plotë kapacitete njerëzore, por pa vende pune, ose me të punësuar që nuk e dinë vendin e punës, aty ku konkurset shërbejnë për të rehabilitu të preferuarit e pushtetit, vendi ku vrasësit shëtiten të lirë e të pafajshmit dergjen burgjeve, aty ku jo rrallë herë pushtetarët dalin dhe protestojnë kundër vetvetes, aty ku aq shumë u ndërtun statuja, ndërsa statuja më e madhe e krijuar ndonjëherë je ti qytetari i thjeshtë që ke haru ti gëzohesh jetës e që mbanë sytë kahë valixhja dhe pret momentin e ikjes si shumë të tjerë….
Për ata që kanë humbur kontaktin me realitetin mund të jetë përshkrim i qytetarit pesimist, por në fakt hiç më pak se realist.

Sipas Institutit për Ekonomi dhe Paqe (2017), Republika e Maqedonisë Indeksin Global të Paqes e ka 2.133 që e bën të rradhitet e 102-ta në rang global, ndërsa e 35-ta nga 36 shtetet evropiane, duke arritur kështu në rangimin më të keq për paqe në dhjetë vitet e fundit. Nga paqja dhe siguria, Republika e Maqedonisë është shumë më afër Sirisë e cila mban vendin e fundit në rang global nga e cila e ndajnë vetëm 61 vende, ndërsa për plotë 101 vende e ndajnë nga vendi më paqësorë në botë që është Islanda.

Nga tetë shtyllat që ndërtojnë “Paqen Pozitive” Republika e Maqedonisë më keq e ranguar është në shtyllën e qeverisjes funksionale me -8.3%, shtyllën Mjedisi i Shëndosh i Biznesit -7.4% dhe Shpërndarja e Drejtë e Burimeve -6.2%, të dhëna këto që reflektojnë haptas mbi realitetin e qytetarit.

Përveç tjerash vendet më pak paqësorë në botë vuajnë ekonomikisht nga niveli i dhunës që e përjetojnë. Kostoja mesatare e dhunës në to është e barabartë me 37% të BPV të tyre, ndërsa në ato që janë në fund të listës arrijnë edhe gjer në 67% të BPV të tyre krahasuar me vetëm 3% në dhjetë vendet më paqësore në botë.

Qytetari i rëndomtë i Maqedonisë sidomos ai shqiptar i vetëdijshëm prej kohësh për pasojat që bart qeverisja jofunksionale është në kërkim të qeverisjes së mirëfilltë si brenda shtetit, poashtu edhe jashtë saj duke u shpreh haptas pro inkuadrimit në NATO dhe BE si garancion për stabilitet politik e ekonomik, sundim të ligjit, sigurimin e shërbimeve për të gjithë pa dallime, duke qenë të bindur se investimi në paqe është më pak i kushtueshëm se ai i ndërhyrjeve.

Nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen e kontekstit shumëvjeçar të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë shpresojmë të hap rrugë për perspektivën euro-atlantike të shumëpritur, pritje e cila pati kosto të lartë për qytetarin e rëndomtë.

Autorja është anëtare e Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët