E respektoj iniciativën e Aleksandar Vuçiqit për dialog të brendshëm për Kosovës e që drejtpërdrejtë do të ballafaqohet me të kaluarën, ka thënë për ditoren Blic të Serbisë, kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më ka prekur teksti i Vuçiqit i botuar në ditoren tuaj. Duke lexuar ata rreshta, mund të ndjeja dhembjen e vërtetë dhe në të njëjtën kohë një përcaktim mbresëlënës. Ishte gjest i lavdërueshëm për udhëheqjen tuaj të cilin e përshëndes publikisht. Atë tekst e vura në Facebook. Pas këtij hapi të parë, Vuçiq ka vazhduar zhvillimin e vizionit të guximshëm për të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur se cila për të është zgjidhja e “problemit të Kosovës”, ai thotë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Por, kur e vë veten në këpucët e Vuçiqit, e di se është më lehtë të thuhet se të bëhet kjo”, thotë Rama, duke shtuar se “zgjidhja e këtij problemi është në interes të të gjithëve”.

Ndërkaq, i pyetur për të komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që të ndahet Kosova, kryeministri i Shqipërisë thotë se është propozim i pazakontë. Ndërsa, në lidhje me deklaratën e mëparshme të tij se nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të Kosovës e Shqipërisë në rast të stagnimit të integrimeve evropiane, sqaron: “Ajo që thash është përfundim trivial e jo plan, kërcënim apo dëshirë. Sigurisht, nëse ne supozojmë se horizonti i integrimit evropian mund të jetë i mbyllur për rajonin tonë, nuk është shkencë që të parashikojmë se fantazmat e së kaluarës mund të ringjallen. A është kjo e qartë?”!

Rama shprehet se ndihet krenar që ka kontribuuar në avancimin e raporteve të Shqipërisë me Serbinë. Kur është fjala te basketbolli, arti dhe politika, ai thotë se e ka dashur basketbollin në rini, se artin e do si pjesë të dëshirave të tij, e se politika është pjesë e qenies së tij. Ndërkaq, për stilin “unik” të veshjes thotë se ai është stilisti i vetes së tij.