Rama rrëzon dhe demanton kauzën e rrejshme të Gruevskit e Ivanovit

Maqedonia gjendet në një krizë kushtetuese që iu faturohet padrejtësisht shqiptarëve, i faturohet komplet padrejtësisht Tiranës. Kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për “Dialogplus” duke komentuar zhvillimet në Maqedoni dhe akuzat në adresë të tij nga disa qarqe politike maqedonase, ku ai apostrofohet se është sponsor i Platformës së partive politike shqiptare. “Kjo është një lojë politike. Këtë e dinë shumë mirë ata që e luajnë, sepse shqiptarët s’kanë qenë, s’janë dhe as që do të jenë problemi i Maqedonisë, por shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë njësi shtetformuese, të drejtat e së cilës nuk mund të trajtohen si favore. Kaq. Por, e gjitha është një lojë politike, që nuk ka të bëjë fare me të ashtuquajturën ‘Platformën e Tiranës’, tha ai. Rama ka demantuar se është autor i të ashtuquajturës “Platformë i Tiranës”, siç po akuzohet së fundmi nga VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit. “Platforma është shkruar dhe është aprovuar nga partitë shqiptare. Unë kam pasur kënaqësinë dhe detyrën që t’i ndihmojë, jo për platformën, por t’i ndihmoj për komunikimin mes tyre”, ka theksuar më tej Rama. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për “Dialogplus” ka folur mbi trazimet politike në Ballkan dhe rrezikun e ndryshimit të kufijve, mbi rritjen e ndikimit rus, marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë si dhe mungesën e vizionit strategjik të BE-së në rajon.