Rama-Tahiri 1 orë kokë më kokë/ Ja vendi i takimit dhe çfarë është diskutuar…

Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, kanë zhvilluar një takim për gati 1 orë mes tyre. Vendi i takimit ka qenë Spitali amerikan 3.

Burime konfindenciale i thanë Syri.net se Rama dhe Tahiri janë takuar mes tyre rreth orës 09:30-09:40.

Nuk dihet se çfarë mund të kenë diskutuar mes tyre Kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm, i cili ndodhet nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për lidhje me Habilajt në trafikun e drogës.

Nuk dihet sepse Rama dhe Tahiri kanë zgjedhur si vend takim mjediset e një spitali, kur të dy politikanët kanë mundësi për t’u takuar edhe në vende të tjera. Por ndoshta një vendtakim i tillë mund të ketë pasur si qëllim mostërheqjen e vëmendjes, aq më tepër kur është paralajmëruar mbyllja e dosjes për ish-ministrin e Brendshëm.

Por organi i akuzës mund të hetojë, duke përfshirë edhe marrjen e kamerave të sigurisë, përmes të cilave do të mund të provohet takimi.

Takimi zhvillohet në një kohë kur debati dhe vëmendja është përqëndruar në kapjen e 613 kg kokainë, e cila ka ardhur nga Kolumbia në Shqipëri, ndërsa autoritetet shqiptare arritën të arrestojnë vetëm shoferin dhe një punonjës të kompanisë që sillte kontenierë me banane.

Pronari i kompanisë u largua nga Shqipëria përmes Rinasit rreth 24 orë përpara se policia dhe prokuroria të bllokonin ngarkesën, e cila kishte të paktën 9 ditë që kishte mbërritur në Portin e Durrësit.

Rasti në fjalë është pothuajse i ngjashëm me atë të Xibrakës, ku u bllokua një laborator droge dhe për të cilin policia ka bërë të njëjtat gabime, duke arrestuar disa persona, por jo kokat e trafikut apo organizatës.

Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri u vu nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pak muaj më parë, pasi në përgjimet e antimafias italiane, emri i tij doli i përfshirë në bisedat mes dy trafikantëve të drogës që i përkasin Habilajve. Pas kësaj organi i akuzës kërkoi nga Kuvendi lejen për të arrestuar Tahirin, por mazhoranca me një urdhër politik të Edi Ramës votoi në bllok kundër arrestimit, duke nxjerrë si preteks mungesën e provave në kërkesën për arrestim.

Fillimisht, të paktën publikisht, Rama u distancua nga Tahiri, gjë që u konsiderua si një shitje që Kryeministri ia bëri një prej ministrave më të besuar të tij. Por gjithçka ndryshoi, pasi Tahiri publikisht dha një mesazh të koduar duke përdorur një nga shprehjet e Edi Ramës: “nuk keni parë gjë akoma…”.

Pas këtij mesazhi pozicionet ndryshuan dhe Rama u vu në mbrojtje të Tahirit. Me ndryshimin e Kryeprokurorit, ish-ministrit tëv Brendshëm iu kthye edhe pasaporta e udhëtimit për jashtë shtetit, që ishte bllokuar më parë. Po kështu i ndryshoi masa e sigurisë edhe Orest Sotës, në makinën e të cilit u bllokuan 863 mijë euro dhe dy patenta detare në emrin e ish-ministrit të Brendshëm.

PD ka paralajmëruar se dosja për Tahirin po mbyllet, ndërsa Kuvendi ka ngritur një Komision Hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore për rastin në fjalë.

SHPËRNDAJE