Shqipëria dhe Maqedonia zhvilluan të premten një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive, e cila vlerësohet si një stad i ri dhe moment historik në bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje ballkanike. Kryeministri shqiptar Rama u shpreh se takimi synon të ngrejë marrëdhëniet në një stad të ri cilësor, ndërsa kryeministri maqedonas Zaev e konsideroi si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë konferencës për shtyp zoti Rama tha se dy vendet kanë vullnet të çojnë përpara Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa njoftoi se në mbledhje është folur dhe për linjën energjitike Shqipëri – Maqedoni. Nga ana e tij zoti Zaev tha se Shqipëria dhe Maqedonia po punojnë për një të ardhme më të mirë mes popujve të dy vendeve.

Më parë gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u mbajt në Pogradec, kryeministri Rama tha se “Jemi këtu për të ngritur marrëdhëniet në një stad të ri cilësor”. Sipas tij “Kjo kërkon një orientim të përbashkët strategjik. Si dy vende fqinje kemi detyrim të ofrojmë më shumë zhvillim dhe të punojmë për më shumë mirëqënie për qytetarët tanë duke përmirësuar standardet ndërlidhëse me njëri tjetrin” tha më këtë rast zoti Rama.

Për kryeministrin maqedonas Zoran Zaev “Shqiptarët në Maqedoni janë një urë e vërtetë e bashkëpunimit”. “Presim në 2018 të nisim negociatat, si Shqipëria dhe Maqedonia për në BE” tha zoti Zaev. Sipas tij “Maqedonia dhe Shqipëria ndajnë vizionin për një rajon me prosperitet të integruar në NATO. Mbështetja e Shqipërisë në këtë drejtim për Maqedoninë ka mirënjohje. Falenderoj qeverinë shqiptare për mbështetjen e Shqipërisë në NATO” tha kryeministri maqedonas. Zoti Zaev sugjeroi që vitin tjetër të mbajmë mbledhjen e dytë të përbashkët në Ohër ose në Strugë.

Gjatë ditës së sotme kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit të parë të përbashkët ndërqeveritar.
Po ashtu ministritë e jashtme të të dy vendeve kanë nënshkruar një plan për bashkëpunim dhe konsultime.
Një tjetër nënshkrim mes qeverive të Tiranës dhe Shkupit ishte ai për bashkëpunim edhe në raste fatkeqësish. Ndërkaq ministritë e brendshme të të dy vendeve kanë firmosur memorandum mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontyrollit të brendshëm .
Në fushën e kulturës vlerësohet memorandumi ndërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Takimet mes qeverive të vendeve fqinje ballkanike, janë shpeshtuar ndjeshëm kohet e fundit. Ato po shihen si nje mundësi e madhe për të rritur nivelin e bashkëpunimit, sheshuar mosmarrëveshjet, si dhe për të përshpejtuar integrimin jo vetem të vendeve të veçanta të Ballkanit në BE, por të të gjithë rajonit.