Në Kuvendin e Maqedonisë ka nisur procedura për marrjen e mandatit deputetit, Nikolla Gruevskit. Komisioni për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit me shumicë votash ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit marrjen e mandatit ish-kryeministrit Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës gjatë procedurës për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej 600 mijë euro.

Njohësit e çështjeve politike, ndërkohë thonë se rasti me Gruevskin duhet të marrë epilog të drejtë gjyqësor, që më në fund te qytetarët të mund të kthehet besimi i humbur në sistemin e drejtësisë. Ish-deputeti, Ismet Ramadani thotë se kërkesa për marrjen e mandatit të Gruevskit duhet të mbështetet nga të gjithë deputetët, pasi në të kundërtën, ata do llogariten si përkrahës të keqpërdorimeve që mund të jenë bërë nga ana e tij.

“Të gjithë ata deputetë të cilët nuk do të votojnë për t’ia marr mandatin Nikolla Gruevskit, në aspektin moral sikur nuk respektojnë pushtetin e tretë, respektivisht gjyqësorin. Apo të gjithë ata që nuk do të votojnë në një mënyrë paraqiten si përkrahës të kriminalitetit sepse bëhet fjalë për një proces gjyqësor të përfunduar”, thotë Ramadani.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski ndërkohë po gjykohet edhe për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Nikolla Gruevski ka udhëhequr me VMRO-DPMNE-në gati 15 vjet, ndërsa 10 vjet ka qenë kryeministër, nga viti 2006 deri në vitin 2016, kur u zëvendësua fillimisht nga një kryeministër teknik nga radhët e partisë së tij, e më pas nga kryeministri aktual, social-demokrati Zoran Zaev.