Kryeministri  i Shqipërisë Edi Rama e ka cilësuar si një absurditet ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

“Ndalimi i Haradinajt, një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s’janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së”, shkruan Rama në Twitter.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta e konsideroi të papranueshëm aktin, ndërsa i bëri thirrje Francës dhe BE-së për zgjidhjen e këtij incidenti.

“Ndalimi i Ramush Haradinajt është i papranueshëm. Ky është një veprim i pakuptimtë që nuk ndihmon frymën e dialogut. I bëj thirrje Francës dhe BE-së për të zgjidhur këtë incident”, thuhet në reagimin e kryetarit të Kuvendit.
Edhe Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka reaguar sot ndaj ndalimit të kreut të AAK, Ramush Haradinaj, në Francë.

“Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat. I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn”, thekson Bushati.

Sipas  Bushati, “Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështoje, sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë”.

“Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen evropiane”, tha Bushati.

Haradinaj është i ndaluar në një burg në Francë në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Ne 2015-ën, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni, arrestim ky i bazuar po në fletë-arrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006. Haradinaj, asokohe po udhëtonte tranzit drejt Kosovës, nga Gjermania dhe u ndalua në aeroportin e Lubjanës.