Sa herë pyetet për jetën private, Renato Mekolli është i kujdesshëm dhe rrallëherë zbulon ndonjë detaj.

Edhe në profilet e tij sociale, vështirë të gjesh ndonjë shenjë kush fshihet pas tij, por ajo që dimë është që shefi i njohur i kuzhinës është në një marrëdhënie prej kohësh dhe është i kënaqur.

Por sot, as ai nuk u shpëtoi pyetjeve të fëmijëve nga Piter Pani. Megjithëse disa i kaloi me sportivitet, të tjerave, të papriturave, u ktheu një përgjigje si ‘prej shefi’.

Por meqenëse nuk flet për të dashurat dhe jetën private, ky ishte momenti që edhe Renato të mos kishte nga të shkonte: “Cila ka qenë e dashura e parë dhe kur e ke puthur për herë të parë?” ishte pyetja e drejtpërdrejtë e Uejsit, i cili jo një, por donte të qëllonte dy zogj me këtë goditje, pas së cilës, Renatos i mbeti një “O Zot i madh.”

Gjithsesi, pa iu dridhur qerpiku, tha me emër e më mbiemër cila ishte e para vajzë që pëlqente në shkollë, që, me gjasë, ai e kishte të dashur: “Për herë të parë e kam puthur në shkollë, quhet Blerina Bakia…” – tha ai pa problem.
Sot, siç shtoi Renato, ajo është e martuar me amerikan dhe jeton në Amerikë, ndaj nuk është problem që ia përmend emrin, sepse “ai nuk merr vesh gjë”.

Ah, Renato u kujtua pas pak se Blerinën e ka puthur në faqe. E drodhi muhabetin, me sa duket.