Pas riformatimit të Qeverisë, dhe zgjërimit të shumicës Parlamentare, shqiptarët në Maqedoni janë të përfaqësuar në opozitë vetëm me katër deputetë, edhe atë nga dy për Lëvizjen BESA të krahut të Bilall Kasamit, dhe Aleancës për Shqiptarët të Zijadin Selës.

Por një nga çështjet e hapura në opinion ishte edhe fakti se si do të veprojnë këto katër deputet, a do ti bashkojnë forcat për të qenë një zë i fuqishëm opozitarë, apo do të veprojnë të ndarë.

Zëdhënësit e të dyja këtyre partive politike, Arjanit Hoxha nga Lëvizja BESA dhe Flakron Bexheti nga ASH, për TVM2 kanë pohuar se janë të gatshëm ti bashkërendisin aktivitetet në të mirë të shqiptarëve.

“Lëvizja BESA është parti opozitare, dhe konform veprimeve opozitare ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë ata të cilët duan që ti bashkë rendisin aktivitetet apo veprimet opozitare në interes të qytetarëve shqiptarë, kur do të ketë diqka konkrete për bashkëpunim eventual ne jemi të hapur, dhe do të ngrejmë edhe iniciativa të përbashkëta. Tash më shumë se asnjëher tjetër ka nevojë për një opozitë të fuqishme dhe artikulues i interesit shqiptarë, dhe nevojave të qytetarëve, dhe ne në këtë drejtim jemi duke punuar si parti politike, dhe çdo kush që dëshiron të ndihmojë në këtë drejtim është i mirseardhur. Në bazë të votave të mara Lëvizja Besa, bashkë me partinë tjetër opozitare Aleanca për Shqiptarët janë opozitë për momentin, dhe kanë të drejtë të flasin në emer të shqiptarëve”, tha Hoxha.

Ndërsa Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët, ka pohuar se ASH është partia më e madhe opozitare tek shqiptarët në Maqedoni, dhe për çdo bashkëpunim eventual, kuptohet edhe me Lëvizjen Besa që ngelet në opozitë, këtë vendim do ta sjellin organet partiake.

“ASH është partia më e madhe opozitare tek shqiptarët në Maqedoni, dhe si e tillë po merrë përgjegjësit e saja për të bërrë një opozitarizëm të thekësuar politik. Kuptohet se pesha e Aleancës nuk bazohet vetëm në numrin e deputetëve të sajë, ngase nga zgjedhjet e kaluara kemi një ngritje mjaft të madhe. Sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, kuptohet se jemi të gatshëm për të bashkëpunuar, por fillimisht ASH e vetme po detekton të gjitha elementet e qeverisjes të cilat nuk janë në favor të pritshmërisë të qytetarëve… Vlerësojmë se ka ngecje në punën e Qeverisë, dhe meqenëse pritshmëritë kanë qenë të mëdha, duket se edhe zhgënjimi është i madh. Prandaj në të ardhmen për çdo bashkëpunim eventual, kuptohet edhe me Lëvizjen Besa që ngelet në opozitë, këtë vendim do ta sjellin organet partiake”, tha Bexheti.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët edhe nga Lëvizja BESA e Kasamit, kanë pohuar se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se kur do të mbahen të njejtat, andaj janë të vendosur të reagojnë ndaj çdo politike destruktive të Qeverisë në përgjithësi, dhe në veçanti në ato pjesë ku cënohet e drejta apo preket çështja dhe interesi i qytetarëve shqiptarë.