Ka arsye të forta për të besuar se modeli Macron do të jetë i vështirë për t’u eksportuar, dhe mund të përfundojë duke përkeqësuar pikërisht ata probleme që duhej të zgjidhte.

Nga Carlo Invernizzi-Accetti

Francesco Ronchi

Në vijim të fitoreve mahnitëse elektorale të Emmanuel Macron-it, shumë në Evropë besojnë se kanë gjetur në Francë, strategjinë mbrojtëse që u nevojitet, për të luftuar kundër sulmeve të populizmit nacionalist në të gjithë kontinentin. Nuk është kaq e thjeshtë.

Thelbi i kësaj strategjie është një përqendrim i madh i pushtetit tek një lider karizmatik, i gatshëm për të shkuar përtej kundërvënies tradicionale të së majtës me të djathtën, dhe për të inkorporuar elemente nga të dyja, në një përqafim të liberalizimit ekonomik dhe integrimit evropian.

Teoria është se votuesit kanë dëshirë për udhëheqës të fortë, të cilët mund të kontrollojnë opozitën; Nëse partitë kryesore nuk mund të ofrojnë këtë lloj lidershipi, atëherë do ta bëjnë lëvizjet në skaje, në të majtë ose në të djathtë të politikës.

Për reformat kushtetuese, Macron propozon të zvogëlojë ndikimin e Parlamentit, duke futur një element të përfaqësimit proporcional në Asamblenë Kombëtare. Kjo do ta dobësonte institucionin duke fragmentuar opozitën, pa i dhënë kompetenca reale. Është më shumë një strategji “përça e sundo”, sesa një përpjekje e vërtetë për të forcuar demokracinë. Ajo gjithashtu i hap dritë jeshile presidentit, që të sundojë me dekrete.

Megjithatë, ka arsye të forta për të besuar se modeli Macron do të jetë i vështirë për t’u eksportuar, dhe mund të përfundojë duke përkeqësuar pikërisht ata probleme që duhej të zgjidhte.

Së pari, kjo strategji varet nga veçoritë e sistemit zgjedhor francez. Macron-i dhe partia e tij fituan vetëm rreth 24% të votave gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe rreth 30% gjatë raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare. Duke llogaritur shkallën e lartë të abstenimit në të dyja rastet, kjo është më pak se 20% e elektoratit. Edhe me këtë nivel të dobët të mbështetjes popullore, Macron-i ishte në gjendje të siguronte kontroll të plotë mbi degën ekzekutive në vend, si dhe një shumicë absolute në Parlament.

Përvoja në vende të tjera tregon se partitë kryesore dhe kandidatët kërkojnë mbështetje më të gjerë për të fituar pushtetin. Në Britani, Partia Laburiste fitoi më shumë se 40% të votave në zgjedhjet e qershorit, e megjithatë u rendit pas konservatorëve, sa i përket vendeve në parlamenta. Në Spanjë, një përqindje e votave, e ngjashme me ato të Macron-it, për Partinë Socialiste, ka shkaktuar një krizë të thellë për këtë parti.

Duke zgjedhur Macron-in, sistemi zgjedhor francez bëri pikërisht atë që është projektuar nga Charles de Gaulle: sigurimin e udhëheqjes së fortë, në kurriz të përfaqësimit demokratik dhe eleminimin e konfliktit nga institucionet qeverisëse, në emër të unitetit kombëtar. Kjo strategji përqendrimi mund të ketë qenë e efektshme kur politika franceze karakterizohej nga konflikte të forta ideologjike, dhe parti politike me aftësi të mëdha rimëkëmbëse. I gjendur përballë joefikasitetit dhe pavendosmërisë së Republikës së Katërt, lidershipi i fortë u gjykua gjerësisht si i nevojshëm për të eleminuar bllokimet e polarizimit ideologjik.

Sot, megjithatë, të dyja ideologjitë dhe partitë janë në krizë. Besimi në partitë e vjetra kryesore ka rënë. Anëtarësimi është në rënie dhe të dyja partitë, ajo socialiste dhe ajo republikane e qendrës së djathtë, duken ideologjikisht konfuze.

Kjo i lë gjithnjë e më shumë të varura nga mekanizmat, si financimi i shtetit për të ecur përpara çalë-çalë, me forcën e strukturave të partisë që kanë ndërtuar në kohë më të mira. Partitë kanë një strukturë – zyrtarë dhe zyra, llogari bankare, fonde, dhe një ndikim të caktuar në media. Por atyre u mungon një pikë referimi e qartë ideologjike në kuptimin e programit qeverisës, apo përkrahësve në emër të të cilëve ta çojnë përpara atë program.

Si rezultat, Macron-i tani përballet me perspektivën e një qeverie, praktikisht të papenguar. Ndërkohë që kjo mund të duket tërheqëse për të dhe politikanë të tjerë në të gjithë Evropën, në fakt është një rrezik i madh për Francën dhe presidentin e saj të ri.

Nëse ka një rezultat të qëndrueshëm në të gjitha zgjedhjet e fundit, në të gjithë Evropën, ai është paqëndrueshmëria në rritje dhe fragmentimi i elektoratit. Përballë një peizazhi të tillë, një udhëheqje që synon të bashkojë të gjithë pas një udhëheqësi të vetëm, tejet popullor, si zoti Macron, do të thotë që disa grupe dhe interesa të caktuara shoqërore, do të lihen pashmangshmërisht jashtë. Konfliktet shoqërore që ziejnë, do të përkeqësohen më tej.

Pa gjetur shprehjen e duhur në nivel institucional, këto tensione do të transferohen në një kundërvënie ndaj vetë institucioneve. Populizmi anti-establishment lulëzon atëherë kur ka mungesë të një politike të hapur, institucionale dhe kundërshtuese. Përfaqësimi demokratik nuk është vetëm çështje parimi mendjesh të ndritura. Është një mënyrë efektive për të përmbajtur dhe menaxhuar konfliktet shoqërore. Siç e thoshte Friedrich Engelsi, ai shërben për “shndërrimin e gurëve në fletë votimi”.

Një udhëheqje e njëanshme ose jo aq përfaqësuese sa nevojitet, shpesh është shumë e ngurtë për t’iu përshtatur një mjedisi të ndryshueshëm politik, dhe prandaj është e prirur të shkaktojë opozicion antidemokratik. Në të kundërt, dialogu dhe konflikti me një opozitë që lulëzon, u sjell dobi shumicave dhe i bën ato të përgjegjshme dhe reaguese.

Qeveria ka nevojë për një opozitë të fortë. Për këtë, përfaqësimi i drejtë dhe demokratik dhe konflikti janë të dobishëm nga pikëpamja pragmatiste. Duke kanalizuar opozitën politike në procesin qeverisës, shumicat mund të korrigjojnë dhe përshtatin pozicionet e tyre. Procesi i vendim-marrjes mund të jetë më i rrëmujshëm dhe më i gjatë, por rezultatet do të jenë më legjitime, më të besueshme dhe më të pranueshme.

Në vend që të fantazojë për një lidership vendimtar, por miqësor ndaj establishmentit, për të frenuar valën e populizmit nacionalist, Evropa do të bënte mirë të nxiste përfaqësimin e drejtë, demokratik, si dhe opozitën e fortë e të institucionalizuar. / The Wall Street Journal – Bota.al

* Z. Invernizzi-Accetti është Profesor në City University në Neë York. Z. Ronchi është lektor në Institut d’Etudes Politiques de Paris (Sciences Po)/Bota.al