Monumentet e kulturës po dëshmojnë çdo ditë e më shumë që janë asete me vlerë historike dhe kulturore e vizitorët e shumtë që i shohin dhe i vlerësojnë janë ”miqtë” e tyre të përhershëm.

Në pritje të sezonit të ri turistik, monumentet e kulturës në vendin tonë janë gati për të pritur turistët për vizita të denja kjo dhe fal angazhimit të strukturave për mirëmbajtjen e tyre.

Një ndër vendet që po mrekullon turistët e huaj është Butrinti, qyteti që mbijetoi me ekzistencën e tij që nga krijimi në shekullin VIII para Krishtit.

Në pritje të sezonit turistik, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2018, qytetin antik e kanë vizituar 2753 turistë. Ndërsa përgatitjet për sezonin parashikojnë një bum turistësh që çdo vit e më shumë janë në rritje.

Butrinti mendohet t’i ketë fillimet e tij në shekullin VIII para Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky është qyteti që lidhet më shumë me legjendën e Eneas.

Në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi deri në shekullin e X, ashtu si ndodhi me shumë porte mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit.

Qyteti i Butrintit është i madh dhe kompleks, me rrënoja nga periudha të ndryshme.

Duke marrë në të djathtë dhe duke ndjekur rrugicat e ngushta, mbërrin në rrënojat që i përkasin banjos romane dhe një kulle veneciane dhe pastaj një seksion tjetër muresh që datojnë në shekullin e IV, pas Krishtit. Pas pothuaj 400 metrave të tjerë, të shfaqen rrënojat e një qendre të krishterë kulti dhe pastaj një pishinë në formën e kryqit që mund të ketë qenë pjesë e kishës mesjetare.

Në të djathtë të hyrjes sheh një pamje shumë të këndshme të zgjerimit të kanalit që më pas të çon tek liqeni. Më pas vazhdon një seksion tjetër, tepër i gjatë i mureve të jashtëm, edhe këto i përkasin antikitetit të mëvonshëm, ndërsa një shëtitje në pyllin e dendur në veri të ishullit është me të vërtetë tepër e këndshme. Në të majtë, ndërsa afrohet fundi i kësaj rrugice, shihen muret e një bazilike mesjetare afër pikës ku bashkohen muret lidhëse të fortifikime të jashtme.

Butrinti, mbetet një ekspozitë e hapur e vlerave historiko-kulturore për këdo që e viziton.