Analisit politik, Arben Rugova, ka vlerësuar se kryeministri Mustafa nuk do t’ia arrijë qëllimit që ta bindë BE-në për heqjen e demarkacionit si kusht për viza. Ndërkohë, kryeministri Mustafa gjatë ditës së djeshmë ka udhëtuar për në Bruksel, me qëllimin që ta suspendojë këtë kusht për një kohë të caktuar.

“Unë nuk besoj që kryeministri Isa Mustafa do të arrijë ta bindë Bashkimin Evropian që t’ia heqë Kosovës kushtin për liberalizimin e vizave, e që është ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi, të nënshkruar gati para dy vjetesh nga qeveritë e të dyja vendeve. Pse duhet kryeministri Mustafa ta kërkojë suspendimin e këtij kushti për Kosovën, derisa insiston që me marrëveshjen e nënshkruar nuk cenohet integriteti as sovraniteti terrritorial i Republikës së Kosovës, se më këtë marrëveshje Kosova nuk humb asnjë milimetër tokë?”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

 

Sipas Rugovës, nëse kryeministri është i sigurtë për atë që e thotë, atëherë marrëveshjen duhet ta procedojë në kuvend. Kurse, në rast se kjo marrëveshje nuk kalon, sipas tij, Mustafa duhet të japë dorëheqje.

“Kosova kurrë nuk ka pasur koalicion që ka dy të tretat e votave për miratim të marrëveshjeve e ligjeve që kërkojnë shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit. Ky koalicion e ka shumicën.  Kryeministri e ka rastin të tregohet burrështetas, ta procedojë këtë marrëveehje dhe në rast se nuk kalon, të japë dorëheqje. Kjo është rruga e vetme e Mustafës për t’u larguar faqebardhë nga politika”, është shprehur ai.

Megjithëkëtë, Rugova ka konsideruar se njëri prej gabimeve të Prishtinës zyrtare është edhe pranimi i demarkacionit si kusht.

“Prishtina zyrtare ka bërë shumë gabime gjatë negociatave me Bashkimin Evropian. Një nga këto gabime është edhe pranimi si kusht i Demarkacionit me Malin e Zi. Tash mund të jetë vonë për të bërë ndryshime në këtë pikë, aq më tepër kur procedimin e Demarkacionit në Kuvend e kërkon edhe aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka konsideruar ai.

Ndërkohë, ka thënë se aktualisht qytetarët nuk janë të interesuar që demarkacioni të jetë temë kyçe edhe për vitet në vijim.

“Pastaj, përveç klasës politike, nuk besoj që ka qytetar të Kosovës që është i interesuar që Demarkacioni me Malin e Zi të jetë temë edhe dy vjet të tjera. Qytetarët nuk pajtohen që të falet toka e Kosovës për viza, ashtu sikurse nuk e mbështesin asnjë parti të përfitojë nga (mos)miratimi i kësaj marrëveshjeje”, ka deklaraur Rugova.

Analisti Arben Rugova gjatë bisedës për “Zërin”, ka vlerësuar se në tërë këtë mes ka vetëm një të vërtetë, ose pushteti, ose opozita po manipulon sipas tij.

“Këtu ka vetëm një të vërtetë, ose pozita ose opozita po manipulon me qytetarët. Atëherë, pse të shtyhet dalja prej këtij udhëkryqi? Sugjeroj që kjo klasë politike të gjejë sa më parë zgjidhjen për demarkacionin dhe të fokusohet te sundimi i ligjit, sidomos te lufta kundër korrupsionit. Sepse, liberalizimi i vizave nuk do të duhej të shihej nga qytetarët si mundësi për të ikur nga Kosova, por si kusht për krijimin e mirëqenies për jetuar në shtetin e tyre të dalë nga izolimi”, ka përfunduar ai./Zëri