Rusia i kërkon kompanisë Google të mos ndërhyjë në zgjedhje

Zyrtarët rusë kanë thënë të kenë paralajmëruar gjigantin amerikan të internetit, Google kundër “ndërhyrjes” në zgjedhjet lokale të planifikuara për këtë vikend, me arsyetimin se po i lejon armikut të Kremlinit, Aleksei Navalny të postojë video duke bërë thirrje për protesta masive në YouTube.

Përfaqësuesit e Komisionit Zgjedhor në Rusi, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe vëzhgues shtetërorë në internet kanë diskutuar për pakënaqësitë e tyre kundër kompanisë Google, pjesë e së cilës është edhe YouTube, gjatë një seance në Dhomën e Ulët të parlamentit rus, transmeton REL.

Zyrtarët kanë pretenduar se Navalny përdor YouTube për të shpërndarë informacion që është “joligjor” në Rusi dhe kanë paralajmëruar se kompania Google mund të ndiqet penalisht nëse nuk vepron për të ndalur këta hapa.

Navalny ka përdorur kanalin e tij në këtë platformë për t’iu bërë thirrje rusëve që të protestojnë kundër reformave për pensione më 9 shtator, ditën e njëjtë kur disa rajone ruse dhe Moska zgjedhin zyrtarët lokalë dhe ata rajonalë.

Ky paralajmërim ndaj Google prej zyrtarëve rusë ka ardhur në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione kundër Qeverisë Ruse, pas dyshimeve se e njëjta ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

SHPËRNDAJE