Rusia “ka financuar fushatë keqinformimi” në Facebook

Rrjeti social Facebook tha se ka informuar hetuesit amerikanë se ka zbuluar se i ka shitur reklama një fushate ruse, e cila ka pasur në shënjestër votuesit në SHBA, gjatë zgjedhjeve presidenciale, vitin e kaluar.

Zyrtari për siguri i Facebook-ut, Alex Stamos, tha se po bashkëpunon me hetuesit në Kongres dhe në Departamentin e Drejtësisë, të cilët janë duke hetuar raportet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane, njofton REL.

Gazeta Washington Post, duke cituar njerëz të afërt me çështjen, tha se Facebook ka shitur 100,000 dollarë reklama te kompania ruse, e cila ka histori të promovimit të propagandës pro Kremlint.

Shumica e reklamave kanë promovuar “llogari të rreme” dhe ueb-faqe që kanë përhapur pikëpamje përçarëse mbi migrimin, të drejtat për armë, racën dhe të drejtat e homoseksualëve, tha Stamos, nga rrjeti social Facebook.

Ai po ashtu theksoi se reklamat kanë nisur në verën e vitit 2015 dhe se vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë përmendur direkt kandidatët e atëhershëm për president të SHBA-së, Donald Trump dhe Hillary Clinton.

SHPËRNDAJE