Tezgë pazari

(Përkitazi me Letrën publike dërguar Presidentit Ilir Meta nga Afrim Tahiri, ish-sekretar i përgjithshëm i BFI në RM, botuar në Shqiptarja.com, më datë 14 nëntor 2017)

Shkruan Eset Shaqiri*

Secili shtet në botë e ka të rregulluar qoftë me rregullore të veçantë qoftë me ligj për dekorata, tituj nderi dhe medalje, shprehjen e mirënjohjes shtetërore e kombëtare ndaj personave me merita dhe kontribut të veçantë për vendin dhe kombin. Propozues të verifikuar e seriozë, komisione të posaçme shtetërore, filtra të ndryshëm institucional vendosin se cili person mund të dekorohet nga një Institucion shtetëror, siç mund të jetë Presidenti, Kryeministri, Kuvendi, apo ministritë përkatëse të mbrojtjes dhe të sigurisë. Pra, ekzistojnë korniza ligjore si dhe një procedurë e tërë që duhet të respektohet me rastin e dekorimit të akcilit personalitet kombëtar apo të huaj. Kështu funksionon në shtetet e fuqishme dhe serioze!

Po si funksionon puna e dekorimit në shtetet shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri? A mund të konsiderohet si gjë serioze dekorimi i mbi njëqind qytetarëve, të njohur e të panjohur, brenda një ore siç e bëri këtë një vit më parë Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, në një event në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë! Natyrisht, ky gjest u llogarit që në start si korrupcion, si gjest me prapavijë politike, sa për të siguruar një kontigjent votash pikërisht nga ata të dekoruar që kanë lidhje familjare me shqiptarët e Kosovës tek të cilët mund të kenë ndonjë impakt në prag të zgjedhjeve për përkrahjen e partisë nga e cila vjen vetë Presidenti.

Nga letra e hapur e Afrim Tahirit, drejtuar Presidentit Ilir Meta, marrim vesh edhe për një hap skandaloz të cilën është në gjendje ta hedhë edhe Presidenti i Shqipërisë! Sipas letrës, ai paska vendosur që ta dekorojë Sulejman Rexhepin, reisin e BFI në RM! Po prej nga kjo ide te z. Ilir Meta? Kush ia propozoi këtë person? Kush qe ai komision që e vendosi apo që këshilloi për dekorim të këtij personi? Si erdhi deri te përfundimi z. President se pikërisht Sulejman Rexhepi është ai person i cili duhet të dekorohet! Druaj se tërë kjo punë do të dalë si një përpjekje për t’u tallur me Presidentin e sapo zgjedhur, z. Ilir Meta. Presidenti shqiptar nuk mund të ketë informacione të sakta mbi këtë njeri, sepse realisht nuk e njeh! Kurse shërbimet kombëtare që janë nën vashmëri të tij si President Shteti duhet të kenë njohuri të mjaftueshme sa për të intervenuar dhe për ta shpëtuar Presidentin nga një lojë jo të këndshme për vetë atë!

Sulejman Rexhepi është bekuesi publik i antishqiptarit më të madh të Maqedonisë, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski! Sulejman Rexhepi ka qenë bashkëpunëtorë i ngushtë (janë botuar edhe relacione) i shefit të shërbimit sekret maqedonas, Sasho MIjallkovit! Sulejman Rexhepi është i vetmi “lider” shqiptar i cili ka refuzuar të lustrohet ndërkohë që në opinion qarkullon nofka e tij policore “Zharko”. Bashkëpunëtorët e këtij shërbimi nuk kanë pasur punë tjetër përveçse të ndjekin e përndjekin “shqiptarë nacionalistë, seperatistë dhe shovenistë”! Sulejman Rexhepi është i vetmi klerik shqiptar i cili viteve 1980 ka zhvilluar aktivitete publike në mesin e hoxhallarëve dhe të myslimanëve kundër “nacionalistëve dhe seperatistëve shqiptar”!

Sulejman Rexhepi është “kleriku” më i pasur i myslimanëve më të varfër në rajon! Pronat e tij si dhe pasuria aktuale që e posedon e vë në pozita të “liderit” më të pasur, i cili ec me ROLEX prej 37 mij dollarëve në dorë që e ka peshqesh nga një bisnesmen maqedonas! Fare në fund, Sulejman Rexhepi sot në Maqedoni trajtohet si e keqja më e madhe që ju ka ndodhur për momentin myslimanëve në përgjithësi dhe, shqiptarëve në veçanti! Është sinonm i përçarjeve kombëtare e fetare si dhe sinonim i shkatërrimit, zhvatjes, vjedhjes.

Nëse do të ndodhë që Presidenti Ilir Meta me të vërtë ta dekorojë Sulejman Rexhepin, për fat të keq, të gjithë myslimanët e vendit do të ndjehen të fyer, dërsa sakaq do t’ia hedhin poshtë motivacionin e asaj dekorate. Presidenti Illir Meta do të duhet të gjejë një arsye shumë të fuqishme, një motivacion shumë bindës, ndryshe, myslimanët e vendit do ta konsiderojnë dekoratën si të korruptuar, si të blerë në një tezgë ku rastësisht mund të gjenden edhe dekoratat presidenciale. Traditës së mbrapshtë, për të dekoruar gjithçka e gjithkë, duhet t’i vie fundi. U bëmë gaz i botës! Duke dekoruar anonimuesë e individë të dyshimtë në fakt i fyejmë personalitetet që janë krenaria jonë kombëtare për meritat e tyre të veçanta e të pamohueshme.

Në Maqedoni, të gjithë shqiptarët mund të jenë kandidat potencial për dekorata presidenciale, por jo edhe Sulejman Rexhepi!

*Autori është kandidat për master në Fakultetin e Shkencave Juridike Komperative në Universitetin e Kuvajtit