Samiti i Sofjes, që mbledh liderët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, është mundësia më e mirë për të diskutuar rreth përforcimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në më shumë sfera, ku kryesoret janë transporti dhe infrastruktura.
Në Samitin e Sofjes pritet ripërsëritja e qëndrimeve për përshpejtimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo edhe përafrim i datave tashmë të ditura për fillimin e procesit të zgjerimit me vendet e rajonit tonë. Gjithsesi, krerët më të lartë të BE-së presin me optimizëm të takojnë liderët e Ballkanit.

“Nesër do t’i takojmë për herë të parë të gjithë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Do të jetë mundësi për të dyja palët që të afirmojmë se perspektiva europiane mbetet drejtimi për të ardhmen e këtij rajoni. Integrimi në BE do të jetë në interes të të rinjve dhe ky do të jetë qëllimi ynë që do ta prezantojmë në samit”,- tha kryetari i KE-së, Donald Tusk.

Padyshim, me interes të jashtëzakonshëm priten takimet dypalëshe të drejtuesve të vendeve që kanë çështje të nxehta politike mes tyre. Emri mes Maqedonisë dhe Greqisë do të diskutohet në takimin mes kryeministrave, Zaev dhe Tcipras, takim ky i dyti me radhë pas atij në Davos të Zvicrës. Nga qeveria në Shkup janë të vetëdijshëm se Samiti dhe ky takim nuk do të përmbyllin kontestin me emrin, duke sjellë zgjidhjen përfundimtare, por sigurisht negociatat do të shkojnë një hap përpara.

“Kryeministri Zaev qartë tregoi se është shumë herët të pritet diçka e tillë, por mendoj se ky takim është hap drejt zgjidhjes përfundimtare”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, ndërkohë, fton për optimizëm dhe ripërsërit përkrahjen amerikane për integrimin e Maqedonisë në NATO.

“Ne i përkrahim aspiratat e Maqedonisë për integrim në NATO tashmë 25 vite. Gjithsesi, presim dhe duam të përparoni”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Jess Baily.

Nga Samiti i Sofjes pritet të përshëndetet përkushtimi i Ballkanit Perëndimor ndaj vlerave dhe principeve europiane, për një Europë stabile dhe të bashkuar.