“Betohem me përgjegjësi të plotë materiale dhe penale se ndaj çdo thirrjeje të gjykatës, do të paraqitem, rregullisht”. Kështu ish-drejtori i policisë sekrete Sasho Mijallkov tentoi të bindë gjykatësit e apelit se nuk do të arratiset nga Maqedonia. Avokatët e tij kërkojnë që gjykata t’ia kthejë pasaportën, derisa PSP-ja mbeti në qëndrimin se për Mijallkovin duhet të shqiptohet masë paraburgimi për shkak të biznesit në Çeki dhe udhëtimet e shpeshta atje. Për PSP-në ekziston rreziku që ai të arratiset dhe të zvarrisë procedurën. Me Mijallkovin, të akuzuar në rastet “Target” dhe “Fortesa” për shkatërrimin e sistemeve për përgjim, janë edhe ish-kryeshefi i Drejtorisë së Pestë në MPB Goran Grujovski dhe ish-shefi i kabinetit të kundër- zbuluesit të parë, Toni Jakimovski. Në sallë nuk u paraqit Goran Grujevski pasi u tha se ka qenë i sëmurë. Ka pasur tension të lartë të gjakut. Jakimovski sikurse ish shefi i tij pohoi se ndonëse punon jashtë shtetit, rregullisht do të paraqitet në gjykime. Nga ana tjetër, PSP-ja bëri të ditur se Goran Grujevski është vazhdimisht i sëmurë, me çka i zvarrit proceset. PSP-ja për të kërkoi paraburgim, meqë gjatë bastisjes së shtëpisë dhe zyrës së tij, në kompjuterin e tij të punës kanë gjetur edhe udhëzim se si të punësuarit në DSK të dëshmojnë kur të jenë të ftuar në Speciale. Prokurorët konsiderojnë se gjatë procedurës hetimore, por edhe prej kur janë parashtruar aktakuzat, ai ka ndikuar te dëshmitarët.

Dallimi qëndron në atë se i akuzuari Goran Grujevski ngarkohet për vepra penale, për të cilat parashihet dënim me burg prej 5 e më shumë viteve. Kjo do të thotë se për të ekzistojnë tre baza për shkak të cilave mund të përcaktohet masa e paraburgimit, këto janë përsëritje e veprës, ndikim mbi dëshmitarët dhe rreziku nga arratisja. Prandaj, edhe ekspozeja për të ishte më e gjatë, përderisa për të akuzuarin Mijallkov ngarkohen vepra deri në 5 vite për të cilat është paraparë dënim me burg dhe prandaj mund të përcaktohet paraburgim për rrezik nga arratisja – deklaroi Lençe Ristovska, PSP.

Prokuroria Speciale për “Fortesën” dhe “Targetin” që i bashkoi në një lëndë kërkon paraburgim për gjithsej pesë persona. Sasho Mijallkov, Goran Grujevski dhe Toni Jakimovski në mandatin e VMRO DPMNE-së ishin në funksione kyçe në policinë sekrete. Përmes këtyre hetimeve, Specialja duhet të japë përgjigje se kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në vend dhe për çfarë qëllimi./Alsat-M/