Arsimtarët, pedagogët dhe profesorët janë në kufij të durimit se i tallin me ligje dhe amendamente, sisteme të reja e të turbullta mësimore që i kanë konfonduar e vënë në pozitë të vështirë profesionale, vendime të padrejta politike për punësim apo ç’punësime që po bëjnë të braktisin shtetin me mundësinë e parë…

Nga Dr.Arben TARAVARI

Në Francën e largët, mu në Parisin e saj dhe qytetet e tjera zhvillohen protesta të forta nga të ashtuquajturit “Jelekët e Verdhë” kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Pa marrë parasysh nëse jam dakord me protestuesit apo përkrah Makronin dhe Pallatin Elizè, unë kam qenë dhe jam gjithnjë përkrahës i madh i protestave si një nga shenjat më të qarta të lirisë dhe guximit popullor.

Kështu protestohet në Francën e pasur, në Francën e parfumeve, të kulinarisë, të muzeve dhe të historisë qindra vjeçare monarkike! Nëse një francez do jetonte një ditë në Maqedoni do mendonte se ose ne jemi popull i çmendur ose të paktën vuajmë nga ndonjë sindromë sadistë… Nga Franca e largët vijmë në Tiranën e afërt, kryeqytetin më të famshëm shqiptar për momentin, protesta masive nga studentët dhe nxënësit e shkollës për ulje të tarifës të arsimimit të lartë publik është zhvillimi i fundit që vjen nga aty!

Përsëri Protestë, kësaj here nga një vend shumë i afërt gjeografikisht, aspak më i pasur se ne këtu, shpirtërisht shumë i dashur për ne shqiptarët në Maqedoni. Kurse këtu mësimi nëpër shkolla ka vazhduar normalisht, këtu që jo vetëm studentët dhe pedagogët kanë arsye për të dalë në protestë, por edhe rojet dhe sanitarët duhen të dalin në rrugë! Në këtë Maqedoni ku në ndërkohë që politika fokusohet në pseudogjykime, në shkolla ka kohë që konsumohet duhani, marihuana dhe ndonjëherë madje dhe heroina apo LSD-ja. Si prind dhe veçanërisht si mjek alarmohem kur mendoj që mushkëri të njoma, ende të paformuara, dhe organi i trurit të fëmijëve tanë vritet përditë ose të paktën është nën kërcënimin e këtyre faktorëve vdekjeprurës!

Çfarë ka bërë shteti për këtë?! Asgjë!

Shkoni dhe bisedoni rëndomtë me një nxënës të klasës së 7 apo të 8 dhe do dëgjoni se pothuajse gjysma e djemve janë konsumator të duhanit dhe megjithëse më rrallë, ka dhe vajza! Në shkollat e mesme është më e agravuar situata, pasi aty marihuana duket se është bërë trendi më i ri në disa qytete! Këto informacione i kam si mjek dhe kjo është vetëm një nga arsyet e panikut që më kaplon, dhe kur më ze paniku mua që jam mësuar të menaxhoj raste adoleshentësh që kanë ardhur në urgjencë në kufijtë e jetës, domethënë që bindshëm situata është realisht për t’u frikësuar! Këto janë arsye të mjaftueshme që të na nxjerrin në Protestë e të kërkojmë një sistem të përgjegjshëm edukativo-arsimor për fëmijët tanë!

Çfarë ka bërë Ministria e Arsimit për nxënësit dhe studentët?! Më besoni se nëse sistemi arsimor është venduar në pikëpyetje duke filluar që nga tekstet shpesh herë qesharake dhe anormale, sistemi edukativ nuk ekziston! Arsimtarët, pedagogët dhe profesorët janë në kufij të durimit se i tallin me ligje dhe amendamente, sisteme të reja e të turbullta mësimore që i kanë konfonduar e vënë në pozitë të vështirë profesionale, vendime të padrejta politike për punësim apo ç’punësime që po bëjnë të braktisin shtetin me mundësinë e parë… dhe shumë arsye të tjera janë lista që duhet t’i nxjerrë pedagogët, profesorët dhe arsimtarët në rrugë për të protestuar! Çfarë i mban në auditoret e ftohta dhe të zymta të institucioneve?!

Ky shkrim do mund të bëhej një libër me disa kapituj duke rreshtuar arsyet pse duhet të dalin në protestë jo vetëm prindërit, studentët, nxënësit, profesorët po edhe mjekët, policët, punonjësit e administratës, rojet, pronarët e bizneseve që shantazhohen fare hapur nga njerëz të caktuar, pensionistët që s’kanë para as për barna, e mbi të gjitha të papunësuarit! Maqedonia është vendi ku ka mbetur vetëm protesta për të shpëtuar popullin ose ndryshe do bëhet tokë boshe, e braktisur nga njerëzit!