https://youtu.be/PZNTpt0YuTI?t=2

“Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve ka ftuar për vizitë zyrtare zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, por këtij të fundit iu është refuzuar kërkësa nga pala serbe”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerësoi se refuzimi i kërkesës për këtë vizitë zyrtare të ministrit Pacolli është mosrespektim i marrëveshjes ndërkombëtare për lëvizjen e lirë e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Fatkeqësisht edhe refuzimi i sotëm që i është bërë kërkesës tonë për të vizituar Republikën e Serbisë konkretisht qytetin e Novi Pazarit ku kemi ftesë që të marrim pjesë në një tribunë të organizuar nga Komuniteti i Boshnjakëve, është tregues që Serbia po vazhdon me avazin e vjetër që të mos respektohen marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në Bruksel dhe tregon mos seriozitetin e Serbisë për të ndërtuar një momentum paqeje dhe stabiliteti në rajon”, tha Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit Behgjet Pacolli.

Ndërsa, analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se nëse ministria konsideron së është bërë shkelje mund të ankohet në Bashkimin Evropian.

“Nuk është ndonjë arsyetim nga MPJ-ja edhe opinioni nuk e ka gjithë kërkesën për t’i lejuar vizitat ministrit të punëve të jashtme, zakonisht ministrat e MPJ-së shkojnë në vizita shtetërore dhe me ftesë zyrtare dhe koordinim, ndërsa ministri jonë Pacolli shkon në një vizitë lokale në Novi Pazar ku merr pjesë në një tribunë profesionale, shkencore politike ku ka me mbajt një fjalë, nëse ministria jonë konsideron së është bërë shkelje mund të ankohet te BE dhe të ketë një lloj reciprociteti me Serbinë sepse ne kemi reciprocitet, mirëpo kushtet duhet të respektohen dhe duhet të plotësohen për vizita të niveleve të larta, nuk jam i sigurt që janë respektua të gjitha kushtet paraprake për këtë vizitë dhe qëllimin e kësaj vizite, sepse kapaciteti i funksionit të ministrit të jashtëm është tjetër, kapaciteti i pjesëmarrjes është tjetër”, u shpreh Ramush Tahiri, analist politik.

Por, sipas këshilltarit të ministrit Pacolli Jetlir Zyberaj Serbia jo vetëm këtë marrëveshje por edhe shumë të tjera të cilat i ka nënshkruar në Bruksel nuk po i zbaton.

“Çdo shkelje e secilës marrëveshje i kontribuon tensionimit të situatës dhe kjo është ajo që nuk duhet të ndodhë në asnjë rrethanë. Ne kemi nënshkruara marrëveshje jemi pajtua me ato marrëveshje dhe Serbia në vazhdimësi jo vetëm në këtë rast po në vazhdimësi i shkel marrëveshjet të cilat vet i ka nënshkruar në Bruksel”, tha Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit Behgjet Pacolli.

Por ndryshe nga Ministria e Punëve të Jashtme, analisti Tahiri këtë refuzim nuk e cilëson si shenjë tensionimi.

“Nuk po e tension, nuk është çdo kërkesë që duhet me u realizua, Serbia është shtet ne duhet ta respektojmë që është shtet dhe ka të drejtë ta vlerëson që dikush mund ta vizitojë apo dikush nuk mund ta vizitojë. e njëjtë vlen edhe për Kosovën asnjëherë Kosova kur ka refuzua vizita e zyrtarëve të caktuar Gjuriq, Vulin, Bashkimi Evropian ose edhe Kosova apo ministria jonë nuk ka thënë që po e tensionon situatën, për ato është komisioni i përbashkët, kërkesa zyrtare që mos me u lejua çdo vizitë mos me shku vizitat e cila nuk është e përgatitur për me krijua tensione”, u shpreh Ramush Tahiri, analist politik.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë është arritur më 2 korrik 2011 në rundin e pestë të diskutimeve në në mes zëvëndës kryeministres së Kosovës, Edita Tahiri dhe ish zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviq.