Komentatori i njohur i Supersportit, Dritan Shakohoxha i ftuar në “Xing me Ermalin” ka folur për fillimet e vështira të transmetimit të kompeticionit më të rëndësishëm evropian, pikërisht Champions Leaguen.

Shakohoxha tha se blerja e të drejtës së transmetimit në Champions ka kushtuar shumë.

“Në fillim kur transmetonim ndeshje, në sfond ishte edhe zëri i një komentatori italian. Atëherë ishte shumë problematike sepse të gjithë thonin ‘Shumë flet ti, ule zërin të dëgjojmë italianin’. Tani që blihen ndeshjet me miliona euro, kjo duket sikur ka ndodhur para 2 mijë vjetësh, por në fakt pak vite më parë ka ndodhur. Telearbëria bleu për herë të parë një ndeshje futbolli , një ndeshje të Kombëtares shqiptare Lituani-Shqipëri, e bleu 5 mijë dollarë. Më pas televizioni Klan bleu për herë të parë një ndeshje të Champions League, 30 mijë dollarë. Atëherë u ble 30 mijë dollarë e drejta televizive për gjithë vitin, kurse tani 30 mijë dollarë është vetëm 1 ndeshje”, tregoi Shakohoxha.