Kolegji Elektoral amerikan pritet të zgjedhë gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht Donald Trumpin si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, në një votim që si zakonisht është veçse rutinë, por që këtë herë ndodh mes akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje me synimin për të ndikuar.

Në takimet e parashikuara në kryeqytetet e secilit shtet, si dhe në Distriktin e Kolumbias, 538 zgjedhësit e institucionit në fjalë, që përgjithësisht zgjidhen nga partitë e shtetit respektiv, do të hedhin votat për presidentin dhe zëvendëspresidentin.

Ka shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, që votimi të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit, që i dha Trumpit çelësat e Shtëpisë së Bardhë pasi fitoi shumicën e votave të Kolegjit Elektoral. Megjithatë, vota popullore shkoi për demokraten Hillary Clinton.

Por, përfundimi i disa agjencive amerikane të shërbimeve sekrete se Rusia kishte ndërhyrë piratisht në “e-mail”-et e Komitetit Kombëtar Demokratik në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e zgjedhjeve dhe për të favorizuar Trumpin, ka detyruar demokratët të nxisin disa prej zgjedhësve të tyre të mos votojnë ashtu siç ua ka kërkuar vota popullore në shtetin e tyre.

“E-mail”-et e nxjerra zbuluan detaje të fjalimeve të Clintonit të paguara nga “Wall Street”, betejat e brendshme partiake dhe kritikat e brendshme në lidhje me përdorimin nga ana e ish-Sekretares së Shtetit të serverit privat për të dërguar “e-mail”-e shtetërore. Zbulimi çoi në një mbulim shqetësues mediatik dhe detyroi disa prej zyrtarëve të partisë të jepnin dorëheqjen.

Trump dhe ekipi i tij i tranzicionit mohojnë pretendimet e agjencive sekrete mbi ndërhyrjen ruse, duke akuzuar demokratët dhe aleatët e tyre se po përpiqen të minojnë legjitimitetin e fitores së tij në zgjedhje. Edhe zyrtarët rusë kanë mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.

Numri i zgjedhësve në Kolegjin Elektoral është i barabartë me numrin e përfaqësuesve dhe senatorëve në Kongres, me secilin shtet që merr thuajse një numër përpjestimor me popullsinë e tij. Kur votuesit shkojnë në kutitë e votimit për të hedhur votën për presidentin, ata faktikisht zgjedhin propozuesin e kandidatit presidencial të preferuar për shtetin e tyre. Një kandidat duhet të sigurojë 270 vota elektorale për t’u zgjedhur, ndërsa Trumpi fitoi 306 nga 30 shtete në zgjedhjet e 8 nëntorit.

Nëse asnjë kandidat nuk arrin 270 vota në Kolegjin Elektoral, presidenti zgjidhet nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit, aktualisht e kontrolluar nga republikanët.