Shkencëtarët kanë prodhuar një pajisje në madhësi të një lapsi e cila zbulon qelizat kancerogjene për dhjetë sekonda, raporton Anadolu Agency (AA).

Një hulumtim i kryer nga Universiteti i Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i publikuar në revistën Science Translational Medicine, tregon se është zhvilluar një pajisje e cila tregon rritjen dhe përhapjen e qelizave kancerogjene me saktësi 96 për qind.

Kjo pajisje spërkati një pikë uji në pjesën e qelizës që supozohet të jetë kancerogjene, e cila ka strukturën kimike shumë më të ndryshme nga qelizat e shëndosha. Kjo pikë me kimikalet e marra nga qelizat e gjalla u absorbua për t’u analizuar me ndihmën e lapsit. E gjithë procedura të cilën e bëri kjo pajisje në madhësi të një lapsi zgjati dhjetë sekonda.

Më pas, pajisja u vendos në një spektrometër të madh që mund të masë mijëra kimikale në të njëjtën kohë. Spektrometri prodhoi një gjurmë kimike që mund të vërehet nga mjekët se me çfarë lloji të indit përballen.

Shkencëtarët njoftuan se përmes kësaj teknologjie të zhvilluar rishtazi lind mundësia për të hequr tumorin në mënyrë më të shpejtë, më të sigurtë dhe më të saktë.

Mjekët thonë se me këtë pajisje do të zvogëlohet mundësia për t’i anashkaluar qelizat kancerogjene gjatë ndërhyrjeve kirurgjike, duke theksuar se vështirësia më e madhe gjatë ndërhyrjeve është turbullira në mes të indeve të shëndosha dhe të disa qelizave kancerogjene.

Është bërë e ditur se gjatë studimit kjo pajisje është testuar në 253 mostra dhe vazhdojnë punimet në zhvillimin e pajisjes e cila pritet të përdoret gjatë ndërhyrjeve kirurgjike vitin e ardhshëm.

Pajisjen, e cila aktualisht mund të analizojë copë indi në madhësi prej 1,5 milimetra, shkencëtarët e kanë zhvilluar në atë mënyrë që të jetë e mundur analiza e një cope të indit në madhësi prej 0,6 milimetrash.

Kur pastrohen qelizat kancerogjene nga trupi, dëmtimi që mund të shkaktohet nga qeliza më e vogël kancerogjene e cila mund të transformohet në tumor ose largimi i tepërt i qelizave nga organet e prekshme, si truri, rrit rëndësinë e pajisjes së zhvilluar rishtazi.