Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se do të ndalojnë udhëtimin e shtetasve amerikanë drejt Koresë së Veriut.

Ky vendim vjen pas vdekjes së studentit amerikan Otto Warmbier, i ishte dënuar me 17 muaj punë të vështirë në Korenë e Veriut dhe më pas vdiq, pasi u lirua në gjendje kome.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit në SHBA, Heather Nauert, ka thënë se vendimi i ndalimit do të prezantohet zyrtarisht në Regjistrin Federal, në javën e ardhshme, ndërsa do të hyjë në fuqi, një muaj pas njoftimit zyrtar.

“Për shkak të shqetësimeve në rritje rreth rrezikut serioz të arrestimeve dhe ndalimeve afatgjata që zbatohen sipas sistemit ligjor të Koresë së Veriut, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, ka autorizuar një Kufizim Gjeografik të Udhëtimit drejt Koresë së Veriut, për të gjithë banorët që kanë pasaportë amerikane”, ka thënë Nauert.

Ajo ka thënë se ata që dëshirojnë të udhëtojnë në këtë vend për “qëllime humanitare apo çështje tjera të limituara”, duhet të pajisen me “pasaportë speciale”.

Departamenti i Shtetit në SHBA ka thënë se Uashingtoni e mbanë përgjegjës Penjanin për trajtimin e Warmbierit.