Gjendet një 20-vjeçar i varur në burgun e Shën Kollit në Lezhë.

Ai quhet Florian Kodra.

Akoma nuk dihen shkaqet që e çuan të riun në këtë akt ekstrem.

Ndërkohë ky është rasti i disatë i vetvrasjes në këtë burg.

Mësohet se Kodra është nga Shkodra dhe u gjet i varur me çarçaf në dushet e burgut.

Ai ishte dënuar për një plagosje të ndodhur një vit më parë në Theth.

Një sherr për xhelozi duket se ka qenë shkaku i plagosjes.

I plagosuri la Tiranën për të menaxhuar në Theth bizneset familjare të së shoqes me të cilën nisi jetesën 3 vite më parë, por xhelozia për të për pak sa nuk i mori jetën.

Nazmi Topuzi, 49 vjeç, ka marrë dy plumba në trup nga Florian Kodra.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 06:45, kur Nazmi Topuzi ka dalë në oborrin e shtëpisë së vjehrrës së tij, ku ai jetonte bashkë me të shoqen.
Sipas Policisë, shkak i këtij krimi është bërë xhelozia, pasi i plagosuri dyshonte se 19-vjeçari i ngacmonte atij gruan 48- vjeçare.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se Nazmi Topuzi është zënë në pritë nga i riu, pas një debati që kishin pasur mes tyre disa ditë më parë për shkaqe xhelozie. Siç mësohet, para pak ditësh Florian Kodra kishte shkuar në shtëpinë e të plagosurit për të mjekuar kërthizën nga vjehrra e tij (mjekim popullor).

Nazmi Topuzi, pasi ka mbaruar punën në biznesin familjar që menaxhon në Theth, është kthyer në shtëpi dhe aty ka gjetur të riun.

19-vjeçari është munduar që t’i shpjegojë arsyet se përse kishte shkuar në shtëpinë e tij, por aty ka nisur debati, pasi Nazmi Topuzi është bërë xheloz për gruan e tij, shtetasen D.D., 48 vjeçe, me të cilën, sipas Policisë, jetonte prej 2-3 vitesh.

I riu i ka mohuar akuzat që i ka bërë Nazmi Topuzi për gruan e tij, por ai nuk është bindur dhe i irrituar ka debatuar duke shkuar gati në përleshje mes tyre. Pak ditë pas këtij debati të pasqaruar mes tyre, 19- vjeçari në orët e mëngjesit të djeshëm e ka ruajtur 49- vjeçarin dhe sapo ka dalë në oborrin e shtëpisë së vjehrrit të tij, shtetasit Gjovalin Djerri, e ka qëlluar me katër plumba me armë zjarri automatik.

Topuzi ka marrë dy plumba, duke u plagosur rëndë. Ajo që ka dëshmuar për debatin ka qenë gruaja e të plagosurit. 19-vjeçari e ka pranuar krimin që ka bërë, por nuk ka dhënë arsyet për ngjarjen e ndodhur. Prej 2-3 vitesh Nazmi Topuzi jetonte në Theth te shtëpia e gruas së tij dhe familjarët e saj i kishin dhënë për të menaxhuar një biznes familjar të tyre.