Pasi përfundoi studimet e Mjekësisë, Taulant Muka, fitoi me bursë të drejtën për të vijuar Masterin në Universitetin e Roterdamit në Hollandë, prej nga preku edhe dy prej Universiteteve me famë botërore Howard dhe Kembrixh.

Pas masterit, Taulanti vijoi studimet doktorale po në Roterdam dhe sot punon në një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në botë në Danimarkë, ku testohen barnat e reja për diabetin.

Taulanti e nisi rrugëtimin për të studiuar jashtë në vitin 2012, për t’u kthyer sërish për të dhënë kontribut në vendin e tij, ku nevojat janë të mëdha.

Edhe pse i duket e vështirë, ai ende beson se një ditë kjo gjë do të bëhet e mundur.

Taulanti thotë se si ai ka dhe shumë studentë të tjerë, produkt të Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri, që kanë vijuar studimet në Universitetet të mira botërore, e që ti kthesh pas duhet gjetur politika e duhur.

Shkencëtar dhe lektor, Taulant Muka: “Unë gjithmonë kam pasur pasion që të merrja një shkollim jashtë, që të ndihesha më i plotësuar me veten time. Gjithmonë kam pasur synimin që nga ana profesionale të rritem me mendimin që nesër ose pasnesër do të kthehem këtu në Shqipëri për të kontribuar për brezat e rinj. Kam bërë përpjekje të vazhdueshme në kohë të ndryshme dhe në forma të ndryshme në mënyrë që të sjellim disa risi këtu në Shqipëri. Nuk është e lehtë, has brryla, ndonjëherë edhe nuk kuptohesh sepse edhe niveli në sistemin drejtues shqiptar nuk është dhe aq i lartë, por mendoj që me energji pozitive do përpiqemi shumë dhe do sjellim risi pavarësisht vështirësive. Ka shumë shqiptarë të tjerë jashtë që kanë arritur performancë dhe janë produkte të Fakultetit të Mjekësisë, por që normalisht duhet të krijosh dhe politika për t’i tërhequr.

Danimarka për njerëzit me aftësi të caktuara që ata kanë nevojë i stimulon dhe i ndihmon me uljen e taksave. Për shembull, personalisht unë futem në atë klasë që quhen emigrantë të nivelit të lartë dhe marr 25% ulje taksash në krahasim me një danez. Marr dhe benefite të tjera dhe më trajton më mirë se sa një danez. Kurse vij në shtetin shqiptar dhe nuk më ofron diçka, madje më jep brryla. Duhet të lehtësohen dhe të ketë politika të tilla që ti tërheqësh ata që janë jashtë në mënyrë që të vijnë të kontribuojnë sepse edhe pak më shumë investim te ata është një investim jashtëzakonisht për shtetin dhe për të ardhmen e Shqipërisë”.

Rikthimi në fakultet pak vite më pas nga koha e mbarimit të studimeve, e gjeti Taulantin të trishtuar nga ajo çfarë pa në auditore. Ai thotë se në Mjekësi mungojnë profesorët inspirues dhe mjekët specialistë ngatërrohen me personelin akademik me tituj shkencor.

Taulant Muka: “Isha në Fakultetin e Mjekësisë për të dhënë një leksion dhe ndryshe nga më parë pash një mungesë interesimi të jashtëzakonshme dhe kjo vinte për faktin që këtu studentët janë të interesuar vetëm të plotësojnë kushtet për të shkuar dhe punuar në Gjermani dhe shumë shpejt do ketë edhe vende të tjera si ato skandinave që po kërkojnë mjekë. Dhe nuk ka asgjë të keqe këtu, është e drejta e çdo njeriu të kërkoj mundësinë më të mirë kur nuk e gjen në një vend. Por ajo që ishte fatkeqësia më e madhe ishte kur shikoje vizionin e Universitetit që ofronte bursa për këta studentë për të mësuar gjermanishten apo promovonte kurset e gjermanishtes në Gjermani. Aty më pas u skandalizova dhe mendova si është e mundur që shteti shqiptar të investojë lekë dhe të prodhojë mjekë për shtetet e huaja si Gjermania. Ky është vizioni dhe po qe ky vizoni nuk mund të shkojmë para dhe ata studentë sigurisht që do të largohen sepse nuk mund të drejtohesh nga vizionar të tillë.

Andej ka vështirësi, por ajo vështirësi të gëzon, të lumturon. Ti ke profesorë që mrekullohesh ku i dëgjon, janë ikona në fushën e vet në rangun botëror dhe veçse mahnitesh nga arritjet e tyre. Po të kthehesh në Shqipëri me raste shumë të rralla nuk ke ndonjë profesor që inspiron, ky është ndryshim i madh. Nëse do ti kthehemi Universitetit të Mjekësisë duhet të ndajmë shumë profesoratin akademik nga të qenit mjek specialist. Në Shqipëri më shumë kemi mjekë specialist të punësuar në Universitetin e Mjekësisë se sa profesorë. Ndryshimi mes një profesori dhe jo profesori është kërkimi shkencor, publikimet”.

Taulanti tregon se fillimisht shqiptarët edhe në auditore i paragjykojnë, për shkak të opinionit të keq që ka Shqipëria nëpër botë, më pas kur shohin se studentët ecin mirë dhe arrijnë rezultatet, profesorët stepen dhe vendosin ti përfshijnë në projekte të rëndësishme.

Taulant Muka: “Ne, kur vajtëm në Roterdam, pjesa jonë më e madhe kishte vështirësi në kërkimin shkencor sepse nuk e kishim begraundin e caktuar. Pavarësisht vështirësive ne çamë dhe arritëm të gjithë shqiptarët atje të ishim më të parët, madje kishim ndonjëherë edhe xhelozi nga hollandezët dhe këtë kapacitet e kemi edhe në Shqipëri thjesht nuk e përdorim siç duhet. Profesorët e huaj fillimisht na panë me një skepticizëm, sepse vijnë nga bota e tretë, por me kalimin e kohës jo vetëm që kanë konsiderata shumë të larta për ne, por edhe na mbajtën”.

Pavarësisht kësaj, Taulanti e le rrugë të hapur kthimin në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Taulant Muka: “Pse jo! Shqipëria ka shumë nevojë për njerëz të arsimuar, arsimi është baza për zhvillimin e një shteti, për të ardhmen. Unë them që Shqipëria ka mundësi zgjidhje, thjesht nuk di ose është në një situatë që nuk po i menaxhon si duhet potencialet që ka. Në mënyrë që të bësh ndryshimin duhen njerëz që inspirojnë. Në momentin që nuk ke njerëz që inspirojnë kurrsesi nuk mund të sjellësh shpresën te njerëzit. Nuk mund të inspiroj dikush që nuk ka asnjë arritje, dikush që në fushën e mjekësisë thjesht kryen rolin e specialistit. Ne duhet të fokusohemi te këta njerëz pozitiv, këta duhet t’i promovojmë, vetëm kështu mund të ndryshojmë. Përndryshe do kemi më shumë që do të emigrojnë drejt shteteve të tjera” ./Oranews