Shkëndija e Tetovës vijon me rezultatet pozitive në kampionatin maqedonas të futbollit. Këtë pasdite skuadra tetovare ka fituar derbin e shqiptarëve, pasi ka mundur skuadrën e Shkupit, klubin tjetër shqiptar të Maqedonisë, me rezultatin 3-0.

Kjo  ishte një ndeshje përgjithësisht e lehtë për Shkëndijën, e cila përfitoi edhe nga fakti që skuadra e Shkupit është duke kaluar një periudhë të keqe këtë sezon. Aktualisht skuadra shqiptare që mban emrin e kryeqytetit të Maqedonisë, ndodhet në vend të fundit të renditjes, duke rrezikuar shumë mbijetesën.

Takimi nisi mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani, i cili e kishte përgatitur ekipin të bënte lojë sulmuese që në fillim. Në minutën e 15` të takimit, është Fazli ai që gjen rrjetën i pari, duke kaluar Shkëndijën në avantazh.

Pas këtij momenti loja është  e gjitha nën kontrollin e skuadrës tetovare, që shfrytëzon edhe mbështetjen e tifozerisë së saj. Në minutën e 40` të takimit, Izair Emini shënon sërish për Shkëndijën. Sulmuesi tetovar shfrytëzon një krosim nga krahët, duke e dërguar topin në rrjetë.

Me shifrat 2-0 do të mbyllej pjesa e parë e lojës, teksa pas pushimit skuadrat rikthehen me të njëjtin ritëm. Janë tetovarët e Qatip Osmanit ata që dominojnë fushën dhe kontrollojnë topin edhe gjatë pjesës së dytë.

Skuadra e Shkëndijës ka luajtur më kudesshëm në pjesën e dytë të lojës, duke mos rrezikuar shumë, ndërsa rastet e krijuara kanë qenë sporadike. Episodetet më të rëndësishme kanë qenë ato në shkallët e stadiumit, ku grupimi i tifozëve ultras “Ballistët”, kanë kënduar gjatë gjithë kohës këngë patriotike shqiptare.

Kjo gjë nuk është mirëpritur nga arbitri i ndeshjes, i cili ka lajmëruar disa herë zyrtarët e skuadrës së Shkëndijës për ndërprerje të ndeshje. Por deri në përfundim të takimit asgjë nuk ndryshoi, veç shënimit të golit të tretë të Shkëndijës nga Alimi.

Barazimi 1-1 i Vardarit, bëri që Shkëndija të merrte kreun, edhe pse me pikë të barabarta me skuadrën nga shkupi, tetovarët kryesojnë për shkak të golavarazhit.

https://youtu.be/yNgxHgeT_QY