Opinioni ishte i tmerruar nga ngjarja e përgjakshme në lagjen e Shkupit Aerodrom, kur një qen kafshoi dy gra të moshës 40 vjeçare dhe katër fëmijë të moshës 10 deri 14 vjeçare.

Dëshmitarët okularë folën në mediat dhe reaguan në rrjetet sociale se kanë qenë dëshmitarë të një drame të përgjakshme. I njëjti qen gjatë gjithë ditës ka sulmuar banorë të lagjes dhe në disa raste viktimat e qenit agresiv u shpëtuan nga fqinjët e tyre.

Një ditë më vonë qeni u kap dhe u transportua në stacionarin e Shkupit për kafshë “Vardarishte”, i vetmi i këtij lloji në të gjithë vendin. U zbulua se ishte një qen i racës Rotvajler (Rothweiler), i braktisur nga pronari.
Reagimi që pasoi pas kësaj ngjarjeje ishte një thirrje për “zgjidhjen” e problemit me të gjithë qentë endacakë. Këto reagime të mediave dhe të rrjeteve sociale rezultuan në një aksion konkret – helmime masovike të qenve endacakë në disa vendbanime të Shkupit.

Objektivi i kritikave publike ishin edhe aktivistët për të drejtat e kafshëve. Njëra prej tyre është edhe gazetarja Meri Jordanovska, e cila është vullnetare në Asociacionin e aktivistëve për të drejtat e kafshëve dhe është një nga të parët në Maqedoni, e cila po lufton për një trajtim më të mirë të institucioneve dhe njerëzve ndaj kafshëve.

“Vetëm ata që nuk i duan kafshët dhe ata që i duan shumë po përpiqen të alarmojnë se problemi ekziston. Mosreagimi i institucioneve në këtë pjesë është enorm. Në vendin tonë, problemi me kafshët e pastreha duhet të trajtohet si një problem komunal, kurse ai trajtohet si një problem i parëndësishëm“, thotë Jordanovska.