Shkupi: Qyteti që shndërrohet në “Mekën” e Ballkanit kur vjen Ramazani

Ka ca qytetet që kur vjen Ramazani, se ç’u bie një tjetër lloj nuri, a lezeti siç i thonë. Dhe ndodh që kur bën ftohtë, të të duken të ngrohta; e kur bën nxehtë, të të duken të freskëta. Një ndër to është kryeqytetit maqedon, Shkupi. Për disa, ky qytet në Ramazan, të asocon deri dhe me vendet e shenjta, Meken apo Medinen, ndonëse gjysma, për shkak të përbërjes etnike, nuk ka asnjë lidhje me Ramazanin.

Por dhe që dhe ata, me gjysëm zëri, ndoshta e pranojnë se një tjetër atmosferë e mbërthen qytetin kur vjen ky muaj. Dhe kjo, ndodh prej shekujsh.

Bekir Halimi, një ndër hoxhallarët e njohur në kryqytetin maqedon, njëherësh dhe figurë e njohur publike e jetës në Maqedoni, thotë një shprehje me një përmbajtje të lartë kumtuese për shijen e rrallë të Ramazanit në Shkup.

“Në Ramazan, kush ka para shkon në Qabe, e kush s’ka para vjen në Shkup!”.

Më tej, hoxhë Bekir Halimi, rrëfen mbi këtë atmosferë pa të cilën Shkupi, një muaj në vit pra, nuk mund të kuptohet, e aq më pak të shijohet.bekir halimi

“Ramazani ka nje traditë të theksuar në qytetin e Shkupit, të cilën traditë e kemi gjetur që nga koha e fëmijërisë. Ndezja e kandilave të xhamisë në natën e parë të ramazanit, pastaj pritja e ndezjes së kandilave në kohën e iftarit nga fëmijët e lagjes, leximi i Kur’anit nëpër xhamitë e qytetit, ligjëratat e mbajtura në kohën e drekës, ikindisë dhe para teravisë, mbushja e xhamive me xhemat për namazin e teravisë, pritja e iftarit familjarisht në sofrën e shtruar para iftarit, thirrja e mysafirëve dhe vizita e farefisit për iftare, janë veçoritë tradicionale të Ramazanit në qytetin e Shkupit.

E mbaj mend si fëmijë, 6 a 7-vjeçar shkoja me babën në xhaminë e Sulltan Muratit për namaz te ikindisë për t’u falur dhe për të dëgjuar ligjëratën më pas, vepër e cila na ndihmonte ta kalojmë më lehtë ditën e gjatë të Ramazanit në stinën e verës. Unë e kam thënë dhe e them se në Ramazan, kush ka para shkon në Qabe, e kush s’ka para vjen në Shkup, e gjithë kjo për shkak të atmosferës së këndshme që krijohet në këtë qytet”.

Ndërkohë, hoxha tjetër i njohur, që edhe pse nuk është nga Shkupi identifikohet me këtë qytetet për shkak të ligjërimeve të tij ns mexhliset e kryeqytetit maqedon, i rendit me pika të gjitha ato që e bëjnë Shkupin një lloj “Meke” ballkanase gjatë Ramazanit…

“Shkupi veçohet me disa dukuri të veçanta në ramazan

1.Përjetimi i Ramazanit në Shkup e ka shijen e dalluar,ngase në të vetëm me ardhjen e mysafirit të ndershem, ndryshon krejtësisht atmosfera. Në Shkup e ke vështirë të gjesh një restorant të hapur gjatë ditës së agjërimit, gjë që bën me dije se agjërimi çmohet në mënyrë të veçantë.

2.Agjërimi në Shkup e bën të lumtur edhe punëtorin, ngase zvogëlohet orari i punës gjatë ditës së agjërimit dhe nderohen punëtorët agjerues ku dhe u jepet rroga e plotë me gjithë orarin e shkurtuar.

3.Pamjet e xhamive janë mahnitëse, ngase e ke vështirë të dallosh nëse je në xhuma apo në një ditë tjetër, je në namazin e jacisë apo të sabahut.

4.Bukuria e xhamive është më e madhe, pasi gjatë tërë Ramazanit në çdo xhami ligjërohet pas namazit të mesditës apo ikindisë dhe para namazit të jacisë.

Në shumë xhami gjithashtu këndohet Kur’an para dhe pas namazit të sabahut, ku prezentojnë muslimanë dhe dëgjojnë bukurinë e recitimit të fjalëve të Allahut.
6.Gjatë muajit Ramazan shtrohen iftare të ndryshme që ia shtojnë bukurinë e agjërimit dhe e shtojnë gjithashtu gëzimin dhe dashurinë mes njëri-tjetrit.

7.Në Shkup, gjatë muajit Ramazan pothuajse çdo iftar çelet i përbashkët me miqë dhe dashamirë, duke i afruar dhe më shumë njerëzit mes vedi.

8.Po të jesh në Shkup gjatë netëve të Ramazanit, e ke vështirë të kuptosh se është natë apo ditë me gjallërimin e netëve të bekuara, me namaz nate gëzim, vizita dhe biseda të frytshme.

9.Mosagjëruesi në ramazan në Shkup është vërtet i huaj, i përbuzur, i nënçmuar.

Dhe këto janë disa nga elementet e shumta që e bëjnë Ramazanin më të këndshëm dhe më të dalluar në Shkup”, deklaroi hoxhë Sadullah Bajrami nga Kumanova e Karadakut.

Ky pra është Shkupi, qyteti që shndërrohet në “Mekën” e Ballkanit kur vjen Ramazani.

SHPËRNDAJE